Lidhje

SHBA dhe Kuba hapin ambasadat


Shtetet e Bashkuara dhe Kuba rivendosën sot marrëdhëniet të plota diplomatike pas më tepër se pesë dekadash.

Flamuri kuban u valëvit sot në mëngjes në Departamentin amerikan të Shtetit, krahas me flamujt e vendeve të tjera që kanë marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe Kuba kanë tani ambasada në vendet përkatëse.

Ky ndryshim historik në marrëdhëniet diplomatike mes të dy vendeve ndodh 54 vjet pas ndërprerjes së marrëdhënieve gjatë administratës së Presidentit John Kennedy.

Zyrtarët kubanë, përfshirë Ministrin e Jashtëm Bruno Rodríguez Parrilla, do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës kubane në Shtetet e Bashkuara sot në Uashington. Në ceremoni do të jetë e pranishme dhe Ndihmës sekretarja amerikane Shtetit për Çështje të Hemisferës Perëndimore, Roberta Jacobson, e cila luajti një rol të rëndësishëm në negociatat mes të dy vendeve.

Sekretari i Shtetit John Kerry do ta presë sot zyrtarisht homologun e tij kuban Rodríguez Parrilla dhe pas takimit ata do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ceremonia e hapjes së ambasadës amerikane në Kubë do të zhvillohet kur sekretari Kerry të shkojë në Havanë, por ndërkohë ambasada do të ketë filluar nga puna me funksione të plota.

Rivendosja e lidhjeve mes të dy vendeve është shoqëruar edhe me kritika.

Senatori republikan Marco Rubio ka thënë se në negociata nuk është theksuar sa duhet qëndrimi i Kubës ndaj të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG