Lidhje

Sekretari Carter viziton Izraelin


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter tha se Izraeli është themeli strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme. Ai i bëri komentet në fillim të një vizite në rajon, që synon forcimin e lidhjeve të SHBA me aleatët, të cilët janë të shqetësuar rreth marrëveshjes së re ndërkombëtare bërthamore me Iranin.

Sekretari Carter u prit ngrohtë nga Ministri izraeli i Mbrojtjes, Moshe Yaalon.

Ai u përpoq të sigurojë Izraelin për mbështetjen e palëkundur amerikane.

"Është e vërtetë se ky është një rajon i ndërlikuar dhe me probleme, por ne e dimë se cilat janë interesat tona dhe një parim i SHBA është miqësia dhe aleanca e tyre me Izraelin,” tha zoti Carter.

Sekretari i Mbrojtjes do të takohet nesër me kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili e kundërshton ashpër marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke e quajtur atë një "gabim historik".

Zoti Carter u tha gazetarëve gjatë udhëtimit drejt Tel Avivit se ai nuk ka ndërmend të bëjë përpjekje për të ndryshuar qëndrimin e zotit Netanyahu.

((ASH CARTER, SEKRETAR I MBROJTJES, SHBA))

"Qëllimi i turneut tim është që të punojmë në të gjitha gjërat që ne i bëjmë së bashku, për të garantuar sigurinë e interesave amerikane në rajon dhe sigurinë e Izraelit që është një gjë shumë e rëndësishme. Natyrisht, ne besojmë se marrëveshja bërthamore promovon sigurinë në rajon, strategjinë amerikane dhe mbrojtjen e Izraelit. Por siç e kam thënë më parë, miqtë mund të kenë mosmarrëveshje".

Ai tha më tej se marrëveshja vendos "kufizime të rëndësishme" ndaj Iranit ndërkohë që ajo nuk kufizon atë që Shtetet e Bashkuara apo aleatët e saj mund të bëjnë për realizimin e strategjive të tyre në rajon.

Pas Izraelit, sekretari Carter do të shkojë në Arabinë Saudite, rivali kryesor i Iranit në Lindjen e Mesme, për bisedime me Mbretin Salman dhe shefin saudit të mbrojtjes, Muhamed bin Salman.

Zoti Carter tha se këto takime do të përqëndrohen në kontrollimin e "agresionit dhe ndikimit iranian" si dhe ekstremizmin e dhunshëm të Shtetit Islamik dhe militantëve të tjerë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG