Lidhje

Fermerët amerikanë dhe tregëtia me Kubën


Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kuba hapin ambasadat dhe normalizojnë marrëdhëniet diplomatike mes tyre pas gati pesë dekadash, lëvizja shihet si një hap i rëndësishëm për të përmirësuar marrëdhëniet e përgjithshme mes tyre, dikur armiq të hapur në Hemisferën Perendimore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, për ata që kërkojnë të përmirësojnë lidhjet tregëtare dhe të biznesit, synimi kryesor është t’i jepet fund embargos ekonomike amerikane.

Edhe pse fushat e misrit dhe të sojës në Illinois janë larg nga Kuba, fermeri Wendell Shauman e mirëpret normalizimin e marrëdhënieve diplomatike. Shpresa e tij përfundimtare është heqja sa më shpejt e embargos ekonomike.

“Sigurisht është mirë për bujqësinë. Ka të bëjë me tregun tonë që tani është i mbyllur. Kostot e transportit janë të ulta. Dhe ne kemi produktet që ata duan.”

Shauman thotë se Kuba po kërkon furnizues të tjerë dhe kjo është arsyeja përse koha ka shumë rëndësi.

“Ka konkurrencë në rritje veçanërisht nga Amerika e Jugut, nga Ukraina e deri diku nga India. Ka shumë konkurrencë prandaj një treg që është pranë duhet të hidhesh për ta kapur.”

Shumica e misrit dhe sojës së zotit Shauman arrijnë deri në Lumin Mississippi, ku produktet e tij transferohen në maune dhe eventualisht shkojnë në portin e Nju Orlins në Luiziana.

“Kur të hiqet embargoja – llogarisim një rritje prej 10 deri 15 përqind të volumit të përgjithshëm në se kjo ndodh. Kjo është një sasi e konsiderueshme meqë ne kemi një nga pesë apo gjashtë portet kryesore në Shtetet e Bashkuara.”

Nuk janë vetëm eksportet nga Shtetet e Bashkuara që do të rriten por edhe importet nga Kuba.

“Përpara embargos partneri më i madh tregëtar i Kubës ishte porti i Nju Orlins. Në atë kohë kishte shumë sheqer, kafe dhe produkte të tjera që rriteshin këtu dhe në Kubë. Ne presim që kjo situatë të kthehet përsëri. ”

Roger Noriega, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në administratën Bush është mes atyre që e kundërshtojnë heqjen e embargos me Kubën përsa kohë vendi mbetet komunist.

“Kjo do të thotë të bësh biznes me një regjim që përdor përfitimet nga tregëtia për shtypur njerëzit. Nuk mendoj se kjo është diçka që njerëzit e bëjnë me ndërgjegje të pastër.”

Por për Wendell Shauman, armiqësitë e Luftës së Ftohtë i takojnë së kaluarës.

“Ne e shohim situatën nga ana e tregut. Ka një lloj simpatie për njerëzit që u dëbuan nga ai vend 50 vjet më parë por ajo ndodhi në mbarë botën dhe ne në mes të Illinoit nuk kishim gjë në dorë për ta ndryshuar.”

Heqja e embargos sipas ekpertëve të bujqësisë do të trefishojë eksportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës deri në vitin 2020, duke krijuar mijëra vende pune në Shtetet e Bashkuara dhe duke zgjeruar tregun për fermerët amerikanë.

XS
SM
MD
LG