Lidhje

Mbrojtja e Shtëpisë Farnsworth


Shtëpia Farnsworth në shtetin e Ilinoit është një nga shtëpitë më të njohura në Shtetet e Bashkuara. Mijëra turistë e vizitojnë atë çdo vit.Projekti i saj është frymëzuar nga vendndodhja e saj pranë një lumi, por, siç njofton korrespondenti i Zërit së Kane Farabaugh, pikërisht vendi ku është ndërtuar ajo tani kërcënon këtë ikonë të Historisë Kombëtare.

Kjo është një shtëpi prej qelqi, e ndërtuar përgjatë lumit Foks në Plano të Ilinoit. Për Dr. Edith Farnsworth, kjo shtëpi ishte një pikë pushimi.

"Dr. Farnsworth ishte specialiste e veshkave në qytetin e Çikagos dhe donte një vend larg qytetit, ku ajo mund të largohej nga stresi i punës".

Maurice Parrish i Orgaanizatës Kombëtar për Ruajtjen e Historisë, thotë se në vitin 1945, Cr. Farnsworth i kërkoi arkitektit të njohur Ludwig Mies van der Rohe t’i ndërtonte asaj një shtëpi. Projekti ishte ndryshe nga prirjet e kohës.

"Kjo është shtëpia që e bëri të njohur modernizmin në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën".

Ludwig Mies van der Rohe e dinte se zona rrezikohej nga përmbytjet, dhe e mori parasysh këtë gjatë projektimit të shtëpisë.

"Ai e ngriti shtëpinë 1.6 metra mbi tokë, që sipas analizave të tij, do ta mbante atë të paktën 30 centimetra mbi nivelin më të lartë të përmbytjeve të regjistruara deri në atë kohë".

Por edhe gjatë ndërtimit në fillim të viteve 1950, uji arriti nivelin më të lartë se ç’ishte parashikuar.

Që atëherë, uji ka depërtuar në shtëpi disa herë, duke shkaktuar dëme të mëdha.

Organizata Kombëtare për Ruajtjen e Historisë tani e menaxhon pronën dhe po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së shtëpisë.

"Për fat të keq nuk ka zgjidhje të përkryer".

Shtëpia Farnsworth është më shumë se një projekt që ka krijuar një prirje të re, thotë arkitiekti nga Çicago, Dirk Lohan. Ajo ishte projektuar nga gjyshi i tij, Ludvig Mies Van Der Rohe, dhe ka frymëzuar karrierën e tij.

"Nëse vetë ai do ishte klienti i tij, ai do të kishte projektuar shtëpinë pikërisht në mënyrën siç është tani".

Lohan mbështet instalimin e një sistemi hidraulik për të ngritur shtëpinë mbi nivelin në rritje të përmbytjeve dhe për ta mbajtur atë aty ku është.

"Mendoj se ai do të thoshte atë që po them unë, se kjo shtëpi është projektuar për atë zonë. Pse ta lëvizim kur kemi aftësinë teknike për ta mbrojtur atë aty ku është?"

Organizata Kombëtare për Ruajtjen e Historisë, së bashku me grupin jo-fitimprurës Monumentet e Ilinoit, do të marrin vendimin përfundimtar brenda këtij viti për fatin e kryeveprës arkitektonike minimaliste të Ludwig Mies van der Rohe-së.

XS
SM
MD
LG