Lidhje

Francë: Prova e debatueshme e moshës për imigrantët e mitur


Franca vazhdon të përdorë praktika mjekësore mjaft të debatueshme, si për shembull analizën e kockave për të konfirmuar moshën e imigrantëve të mitur që kërkojnë mbrojtjen e shtetit. Autoritetet franceze janë kritikuar ashpër për këtë praktikë dhe janë akuzuar se po u mohojnë të miturve nga Afrika nën-sahariane mbrojtjen dhe procesin e duhur që u sigurohet fëmijëve të tjerë të pashoqëruar që hyjnë në Francë.

16 vjeçarit Yanick nga Kameruni iu desh një vit udhëtim gjatë së cilit rrezikoi disa herë vdekjen për të mbërritur në Nantes, në Francën Veriperëndimore.

Ai përshkoi shkretëtirën e Saharasë nga Kameruni në Marok, duke kaluar përmes Nigerisë, Nigerit dhe Algjerisë e Tangerit, nga ku ndërmorri udhëtimin e fundit për në Spanjë në gusht të vitit 2014 para se të nisej për në Francë, pas tre muajsh.

Si mijëra emigrantë të tjerë afrikanë, varfëria dhe perspektivat e pakta e shtynë Yanick-un të kërkonte një jetë më të mirë në Francë.

Por kur mbërriti në Francë, ai hasi një pengesë tjetër.

Pasi deklaroi praninë e tij në komunën lokale të Nantes, ai u detyrua të bënte disa analiza mjekësore që janë konsideruar të debatueshme nga aktivistët e të drejtave të njeriut.

Disa nga analizat përfshijnë një radiografi të kyçeve të duarve, të njohur si analiza e moshës së kockave, një radiografi të dhëmbëve dhe një vizitë të pjesëve intime të trupit për të përcaktuar nëse një person është në moshë madhore apo i mitur.

Për Yanicku, ëndrra e një jete më të mirë në Francë gradualisht po shpërbëhej.

"Ishte shumë e vështirë që të arrija këtu dhe rrezikova jetën të paktën 10 ose 12 herë por falë Zotit jam ende gjallë, në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të doja shumë që të kisha sukses. Prandaj jam në Francë, sepse e dua Francën, është vendi i ëndrrave të mia por që kur kam ardhur, nuk e di se çfarë të keqe kam unë që më shohin gjithmonë shtrembër”.

Sipas aktivistëve, autoritetet franceze rregullisht madje ndoshta sistematikisht i bëjnë të miturit imigrantë t’u nënshtrohen analizave për përcaktimin e moshës edhe pasi dokumentat e tyre janë verifikuar nga policia kufitare.

Sipas ligjit francez, minorenë të pashoqëruar imigrantë janë të huajt e rinj nën moshën 18 vjeçare që nuk kanë përfaqësues familjarë apo ligjorë në vend dhe si të tillë kanë të drejtën të përfitojnë nga ligjet franceze për mbrojtjen e fëmijëve, ku përfshihen banesa, shkollimi dhe mbrojtja mjekësore.

Franca shpenzon rreth 7 miliardë Euro çdo vit për shërbime për mbrojtjen e fëmijëve dhe departamentet caktojnë rreth 20 për qind të buxheteve të tyre për ndihmë sociale, ku përfshihen shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve.

Në një memorandum të majit 2013, Ministrja e Drejtësisë Christiane Taubira thoshte se përcaktimi i moshës ishte një zgjidhje e fundit dhe mund të përdorej vetëm në raste të skajshme dyshimi.

Por ky udhëzim është shpërfillur përgjithësisht. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ose autoritetet lokale mund të kërkojnë analizën e moshës nëse kanë rezerva për moshën e dikujt që pretendon se është i mitur.

“Në çdo vend evropian, është rënë dakord se analiza e kockave është shumë e pasigurt kështuqë qeveria franceze shtoi analiza të tjera që në fakt janë edhe më të pasigurta. Dhe fakti që ata bëjnë analizën e organeve gjenitale, zhveshja dhe kontrolli është poshtëruese”, thotë Doktoreshë Carine Rolland, menaxhere në organizatën Medicins de Monde, që ndihmon të miturit e pashoqëruar.

Sipas autoriteteve franceze, nga maji 2013 deri në dhjetor 2014, Ministria e Drejtësisë ka regjistruar afro 7 mijë e 600 të mitur të pashoqëruar në Frqancë dhe 64 për qind e tyre kanë ardhur nga vende nënsahariane, kryesisht nga Mali, Guinea dhe Republika Demokratike e Kongos, shumica meshkuj.

Një nga organizatat në Nantes që ndihmojnë imigrantët e rinj me aspektet e ndërlikuara juridike dhe burokratike është RESF që këtë vit ka paraqitur një peticion për t’i ndaluar analizat për përcaktimin e moshës.

Aktivistët thonë se zakonisht këta fëmijë janë të izoluar dhe të ekspozuar dhe konsiderohen më parë si të huaj sesa si të mitur që kanë nevojë për mbrojtje.

“Nëse ka një vendim juridik mbrojtjeje, këto vendime apelohen sepse nuk duan që të detyrohen të mbështesin të mitur të pashoqëruar. Unë mendoj se këshilli lokal nuk i sheh ata si fëmijë që kanë nevojë për mbrojtje dhe meqë janë të detyruar nga vendimi juridik t’u sigurojnë hotel dhe t’i ushqejnë, ata e bëjnë një gjë të tillë por apelojnë”, thotë avokatja Elen Thoumine.

Përpjekjet nga agjencia Reuters për të marrë komente nga autoritetet franceze për këtë praktikë ishin të pasuksesshme.

Në dhomën e tij të vogël që ia siguron shteti, pasi e fitoi apelin që e deklaroi të mitur, Yanick reflekton për jetën e tij.

"Unë jam në hotel por kjo nuk do të thotë se unë do të rri këtu pa bërë asgjë në jetë. Unë do të kisha dëshirë që të më sigurohej ndonjë trajnim ose praktikë. Patjetër ka diçka që mund të bëj, të dal në mëngjes nga hoteli dhe të kthehem në mbrëmje si gjithë të tjerët, të bëj diçka me jetën time”.

Por Yanick gjithsesi thotë se nuk është penduar që ka ardhur dhe shpreson që një ditë Franca të jetë vendi i tij. Ndërkaq, Yanick dhe disa nga emigrantët e tjerë të rinj i kalojnë ditët ulur në park.

Por të gjithë kanë të njëjtën frikë: Ditën kur të mbushin 18 vjeç dhe nuk do të mund të përfitojnë më nga shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe si të rritur do t’u duhet të përballen me një betejë tjetër juridike që të mund të qëndrojnë në Francë.

XS
SM
MD
LG