Lidhje

Parlamenti grek miraton paketën e reformave


Parlamenti grek sot miratoi paktën e reformave që janë kusht për hapjen e negociatave me Eurozonën dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një paketë të re ndihmash financiare. Disa orë pas miratimit të projekt-ligjit, banorët e Athinës thanë se ka ardhur koha për të pranuar realitetin e vështirë që e pret vendin në vitet e ardhshme. Kryeministri grek Aleksis Tsipras arriti të shmangë shmangi një rebelim brenda partisë së tij të majtë, SYRIZA për të realizuar miratimin nga parlamenti të reformave, që janë kusht për fillimin e bisedimeve mbi një marrëveshje të re të shpëtimit financiar.

Ligji për reforma të reja u miratua lehtësisht me 230 vota pro në parlamentin 300 vendesh, duke marrë edhe mbështetjen e opozitës.

Por, 36 deputetë të Syrizës, pothuajse një e katërta e 149 ligjvënësve të partisë, votuan kundër projekt-ligjit të përgjithshëm, apo abstenuan.

Qeveria thotë se shpreson që negociatat mbi marrëveshjen e shpëtimit do të fillojnë këtë javë dhe do të përfundojnë më 20 gusht.

Pas miratimit të reformave nga parlamenti, shumë grekë thanë se tani ka ardhur koha për t’u përballur me realitetin.

"Tani ne duhet të vazhdojmë me marrëveshjen, pa protesta, pa krijuar probleme për turizmin, sepse unë punoj në sektorin e turizmit. Gjërat duhet të ecin përpara. Të vazhdohet me reformat që qeveria duhet të bëjë, në mënyrë që ne të mund të dalim nga ky tunel", - thotë 49-vjeçari Fay Diakoumidou i cili punon në një agjenci udhëtimi.

"Nëse ne nuk i marrim paratë dhe dalim nga eurozona, do të jemi në një gjendje më të keqe. Është koha që njerëzit ta kuptojnë se kthimi tek dhrahmia nuk është një alternativë e mirë", - thotë pensionisti 75 vjeçar Minas.

Greqia tani përballet me reforma shumë të vështira, thonë analistët.

Kritikët argumentojnë se Greqia po detyrohet të bëjë kursime më të mëdha se çdo vend tjetër në eurozonë.

Ekonomisti i kompanisë Schroders, Azad Zangana thotë se ende ekziston mundësia që Greqia të detyrohet të dalë nga eurozona.

"Ka ende shqetësime rreth qëndrueshmërisë së borxhit grek dhe kredive që qeveria greke ka marrë nga kreditorët ndërkombëtarë. Siç është parë gjatë vitit të fundit, ka gjithashtu shqetësime se politika në Greqi është thjesht duke u bërë e pakontrollueshme".

Kjo i shqetëson edhe udhëheqësit e vendeve të tjera të eurozonës.

Pasi Greqia arriti në prag të falimentimit, kryeministri Aleksis Tsipras u detyrua të ndryshonte qëndrimin e tij ndaj kushteve të masave të shpëtimit, duke shkaktuar një rebelim brenda partisë së tij.

Tsipras gjithashtu përballet me betejën për të fituar përsëri besimin e kreditorëve të vendit.

Ata janë të kujdesshëm ndaj veprimeve të kryeministrit grek dhe thonë se ai tani duhet t’i zbatojë të gjitha reformat.

Zoti Tsipras ende nuk ka shqyrtuar reformat për pensionet e parakohëshme dhe normat e ulëta të taksave për fermerët.

Projekt-ligji që ligjvënësit grekë e miratuan sot përfshin rregulla për trajtimin e bankave të dështuara dhe përshpejtimin e sistemit të drejtësisë, dy kushte të tjera të vendosura nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për t’i hapur rrugën negociatave mbi një kredi të re shpëtimi prej 86 miliardë eurosh.

XS
SM
MD
LG