Lidhje

Kongresi amerikan dhe marrëveshja me Iranin


Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Barack Obama po shtojnë përpjekjet për t’u mbushur mendjen ligjvënësve amerikanë skeptikë se marrëveshja bërthamore me Iraninin është një arritje pozitive.

“Kemi pritur për këtë ditë sepse na jepet rasti për të folur mbi thelbin, duke dalë jashtë politikës dhe duke u përqendruar tek faktet.”

Sekretari i Shtetit John Kerry u shpreh në prag të seances së sotme dëgjimore në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ndërkohë, protestuesit u bashkuan të mërkurën në qytetin e Nju Jorkut kundër marrëveshjes së arritur javën e kaluar. Ata shpresojnë të tërheqin vëmendjen e ligjvënësve amerikanë. Rabini Abraham Cooper është me Qendrën Simon Wisenthal.

“Nëse na mbushin mendjen se kjo marrëveshje ka diçka pozitive, jemi gati t’i dëgjojmë, por në të kundërt shpresojmë se ata kanë kurajon personale dhe politike që të bëjnë atë që duhet, dhe të votojnë kundër marrëveshjes.”

Zoti Kerry thotë se marrëveshja është rruga më e mirë që Irani të mos prodhojë armë bërthamore.

“Jemi të bindur se marrëveshja e arritur së bashku me fuqitë botërore do të parandalojë prodhimin e mundshëm të armëve bërthamore. Do ta bëjë rajonin, miqtë tanë dhe aleatët më të sigurtë. Bota do të jetë më e sigurtë. Jemi të bindur se mungesa e ndonjë alternative tjetër të mundshme thekson pikërisht këtë fakt.”

Kongresi ka afat deri në mes të shtatorit që ta miratojë, ose hedhë poshtë marrëveshjen e cila do të heqë sanksionet ndaj Iranit në shkëmbim të kufizimit të programit bërthamor. Nëse marrëveshja hidhet poshtë, presidenti Barack Obama ka premtuar vënien e vetos ndaj vendimit të Kongresit.

XS
SM
MD
LG