Lidhje

Mbyllen hetimet për Fullanin


Ish-guvernatorit pritet t’i komunikohen akuzat ditën e hënë. Një vit hetime për skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Hetime dhe për blerjen e ish Hotel Dajtit

Në Shqipëri, prokuroria ka mbyllur hetimet ndaj ish guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, një vit pasi në institucionin më të rëndësishëm financiar të vendit u zbulua vjedhja e afër 7 milion dollarëve

Prokuroria e arrestoi zotin Fullani shtatorin e kaluar, por më pas gjykatat vendosën që ai të hetohej i lirë. Prokurorët e kishin motivuar vendimin e tyre me një sërë shkeljesh, që nga “mosemërimi i guvernatorit të dytë, te mosushtrimi i kompetencave për propozimin e nismave juridike dhe rregulloreve, apo dhe moszbatimi i atyre ekzistuese”. Të gjitha këto sipas prokurorëve kishin “krijuar kushtet që të cënohej siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë”.

Akuza zyrtare pritet t’i komunikohet ish guvernatorit, ditën e hënë, kur parashikohet që dosja ndaj tij t’i dorëzohet më pas dhe gjykatës. Mësohet se një ndër akuzat është ajo e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë, përvec skandalit të vjedhjes, zoti Fullani është hetuar edhe për blerjen nga ana e Bankës së Shqipërisë se ish Hotel Dajtit, dhe procedurave të ndjekura për këtë rast.

Ish guvernatori, është i fundit i një liste të gjatë punonjësish dhe ish drejtuesish të Bankës qëndrore të cilët u hetuan për skandalin e vjedhjes. Për pjesën dërrmuese t e tyre, gjykata e shkallës së parë është shprehur tanimë me vendime. Muajin maj autori i vjedhjes Ardian Bitraj u dënua me 20 vjet burgim, ndërsa bashkëpunëtorja e tij Mimoza Bruzia u dënua me 15 vjet. Por që të dy përfituan një ulje me një të tjerat të dënimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG