Lidhje

Zyrtarët afganë: kreu taleban, Mullah Omar, vdiq në 2013


Zyrtarët qeveritarë afganë thanë të mërkurën se kreu i talebanëve Mullah Omar ka vdekur, dhe se vdekja e tij ka ndodhur më shumë se dy vjet më parë në Pakistan.

Një zëdhënës i agjencisë kryesore afgane të zbulimit tha se Mullah Omar ishte shumë i sëmurë në një spital të Karaçit dhe vdiq aty në kushte të dyshimta.

Ai nuk shpjegoi se për çfarë dyshimesh bëhej fjalë, apo se prej sa kohësh agjencia e tij kishte dijeni për fatin e Mullah Omarit.

Zyra e presidentit Ashraf Ghani tha gjithashtu se Omar vdiq në vitin 2013, por vetë talibanët pretendonin se ai ishte ende gjallë.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se njoftimet për vdekjen e së Mullah Omarit duken të besueshme dhe se autoritetet e zbulimit amerikan janë duke hetuar mbi rrethanat e vdekjes.

Është e paqartë se përse lajmi për vdekjen e Mullah Omarit doli pikërisht tani, edhe pse njoftime për vdekjen e tij ka patur vazhdimisht, që nga viti 2001.

Viti 2001 ishte hera e fundit që kreu i talebanëve, i cili kishte humbur njërin sy, u pa në publik pasi forcat e udhëhequra nga SHBA rrëzuan qeverinë e tij dhe ai kaloi kufirin për në Pakistan.

Vdekja e Mullah Omarit, aleat i ngushtë i rrjetit terrorist të al-Kaidës, mund të komplikojë apo edhe prishë raundin e dytë të bisedimeve të paqes mes talebanëve dhe qeverisë afgane që janë planifikuar të fillojnë të premten.

Zyra e presidentit Ghani tha se përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë mbi kontrollin e Afganistanit duhet të vazhdojnë.

Vdekja e Mullah Omarit mund të çojë në një luftë për pushtet brenda grupit kryengritës, i cili mendohet të jetë një bashkim i gjerë fraksionesh të veçuara.

Edhe pas deklaratës të bërë të mërkurën nga zyra e presidentit, një zëdhënës taleban këmbënguli për Zërin e Amerikës se Mullah Omar ishte ende gjallë. Ky koment u pa si një përpjekje për të shmangur çdo njoftim që mund të prishte negociatat.

Në të paktën pesë vitet e fundit, Mullah Omar nuk kishte bërë asnjë paraqitje publike dhe as kishte paraqitur ndonjë dëshmi të drejtpërdrejtë se ai ishte gjallë. Njoftimet e mëparshme për vdekjen e tij që ishin shfaqur në mediat e rajonit asnjëherë nuk kishin gjetur qarkullim të gjerë.

Mullah Omar udhëhiqte talebanët, kur forcat amerikane pushtuan Afganistanin në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Talebanët mbështetën al-Kaidën dhe strehuan udhëheqësin e saj Osama bin Laden, i cili i njohu vetes meritën për planifikimin e rrëmbimit të avionëve amerikanë, që çoi në vrasjen e rreth 3,000 njerëzve më 11 shtator 2001.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG