Lidhje

Mosmarrëveshjet për kufijtë e zonave të votimit


Presidenti Lyndon B. Johnson

Presidenti Lyndon B. Johnson

Pesëdhjetë vjet më parë, ligjvënësit amerikanë miratuan dhe presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin për të Drejtën e Votës. Ligji i ri i dha fund diskriminimit racial në votim, duke u dhënë miliona afrikano-amerikanëve, në shumë pjesë jugore të Shteteve të Bashkuara, mbrojtje federale për të ushtruar të drejtën e tyre për votim.

Ligji ishte një moment historik në lëvizjen amerikane për të drejtat civile, duke u dhënë shumë afrikano-amerikanëve dhe anëtarëve të tjerë të pakicave, të drejtën që të bëheshin politikanë.

Në këtë segment të ciklit të posaçëm të Zërit të Amerikës mbi 50 vjetorin e ligjit për të Drejtën e Votimit, korrespondenti Chris Simkins njofton për debatin aktual politik lidhur me praktikën e krijimit të zonave zgjedhore apo distrikteve për të favorizuar një kandidat ose parti politike.

Votuesit hispanikë kanë shumë arsye të festojnë, përfshirë ndikimin e tyre politik në rritje në Teksas. Anëtari i Këshillit Bashkiak të qytetit Austin, Sabino Renteria e mban mend kohën kur hispanikët në të gjithë shtetin përballeshin me praktika diskriminuese para 50 vjetësh.

“Në atë kohë duhej të paguaje taksën e zgjedhjeve për të votuar. E mbaj mend kur shkova me tim atë për të votuar për John F. Kennedy dhe paguam 2.50 dollarë. Që atëherë e kisha kuptuar që nuk duhej të paguanim për një të drejtë”.

Pas pesë dekadash, relievi politik ka ndryshuar. Renteria është një nga tre hispanikët në Këshillin Bashkiak në Austin. Ai u zgjodh pasi qyteti hoqi dorë nga një sistem që zgjidhte anëtarët e këshillit në gjithë qytetin.

Vëzhguesit politikë thonë se sistemi i vjetër i zgjedhjeve ua vështirësonte hispanikëve që të fitonin një vend në këshill, sepse nuk mund të siguronin mbështetje të mjaftueshme nga votuesit e bardhë të qytetit.

Tani votuesit në Austin i caktojnë anëtarët e këshillit nga brenda qarqeve, në mënyrë të tillë që i ndan të bardhët e pasur nga lagjet e pakicave me të ardhura të kufizuara.

“Ne punuam së bashku dhe bëmë fushatë për distriktet me një anëtar këshilli ku fituam dhe unë isha i pari anëtar i zgjedhur nga distrikti im”.

Teksanët janë mësuar me zona zgjedhore që nuk janë të ndara në mënyrë të qartë.

Për dekada me radhë, ligjvënësit amerikanë nga të dyja palët i kanë ndarë territoret e zonave zgjedhore në mënyrë që të sigurojnë avantazh politik. Kjo praktikë po sfidohet aktualisht në Teksas.

“Ne po debatonim si zakonisht për ndarjen e hartave”.

Jim Henson, analist politik në Universitetin e Teksasit në Austin, thotë se historia e një partie gjithmonë në pushtet në Teksas, shkaktonte luftra të ashpra politike për shpërndarjen e votuesve.

“Për dekada me radhë, demokratët e kontrollonin atë proces dhe republikanët gjithmonë ndjeheshin në dizavantazh në procesin e rindarjes së distrikteve”.

Por tani kushtet kanë ndryshuar. Një plan për ndryshimin e kufijve të zonave të votimit i miratuar nga legjislatura me shumicë republikane në vitin 2011, ka sjellë si rezultat disa sfida ligjore. Gjykatat po përpiqen të përcaktojnë nëse rindarja e distrikteve shkel klauzolat e Ligjit për të Drejtën e Votës që synon garantimin e përfaqësimit të pakicave. Ligjvënësi nga shteti i Teksasit, Larry Gonzales e mbron planin e rindarjes së distrikteve.

“Mendoj se është shumë pozitive kur pakicat racore janë bërë aq të larmishme saqë mund të përfaqësohen në çdo pjesë të Distriktit Williamson, që të mund të ndryshojmë kufijtë e zonave të votimit pa shkelur Ligjin për të Drejtën e Votës”.

Por anëtari demokrat i këshillit, Renteria thotë se votuesit meritojnë që komisione jopartiake qytetarësh të përcaktojnë juridiksionet politike dhe jo ligjvënës republikanë që duan të kenë avantazhe politike.

“Ata duan t’i ndryshojnë kufijtë e distrikteve që të jenë në pushtet për 20, 30 vitet e ardhshme.”

Edhe organe legislative të shteteve të tjera po shqyrtojnë propozime për të mos e lënë ndryshimin e vijave të distriktit në duart e politikanëve. Por jo në Teksas, ku ligjvënësit e shtetit duan ta vazhdojnë një praktikë të tillë.

XS
SM
MD
LG