Lidhje

Presidenti Obama mbron marrëveshjen me Iranin


Presidenti amerikan Barak Obama mbrojti fuqimisht marrëveshjen ndërkombëtare për të kufizuar programin bërthamor të Iranit, duke thënë se "ajo i pret të gjitha rrugët e Iranit për prodhimin e një bombe."

"Kjo është një marrëveshje shumë e mirë," tha zoti Obama të mërkurën në një fjalim në Universitetin Amerikan në Uashington.

Ai u bëri thirrje ligjvënësve skeptikë në Kongresin amerikan ta miratojnë marrëveshjen, kur ata ta hedhin në votë muajin e ardhshëm.

Marrëveshja e ndalon Teheranin të ndërtojë një armë bërthamore në shkëmbim të heqjes së sanksioneve perëndimore dhe të OKB-së që e kanë paralizuar ekonominë e Iranit. Por kundërshtarët thonë se dispozitat për të verifikuar nëse Irani po e zbaton apo jo marrëveshjen janë tepër të dobta.

Zoti Obama i hodhi poshtë këto kritika, duke thënë: "Kjo është marrëveshja më e fortë për mospërhapjen e armëve e arritur ndonjëherë."

Zoti Obama tha se debati në Kongres mbi paktin e Iranit është "më i rëndësishmi" me të cilin përballet vendi që nga vendimi i tij fatkeq në vitin 2002 për të ndërhyrë në Irak, mbi bazën e argumenteve që më vonë doili se ngriheshin mbi informacionet e gabuara të zbulimit, sipas të cilave Bagdadi posedonte armë të shkatërrimit në masë.

Ai tha se disa nga përkrahësit e luftës në Irak tani janë ndër kundërshtarët më të zëshëm të marrëveshjes me Iranin, por ata duhet t’i japin marrëveshjes së negociuar ndërkombëtarisht një shans për t'u zbatuar.

Ai tha se nëse Kongresi e refuzon marrëveshjen, ajo "do të përshpejtonte" mundësinë që Irani të ndërtojë një bombë, sepse monitorimi i aktiviteteve të Teheranit do të ishte i kufizuar.

Jo pa qëllim Presidenti Obama e mbajti fjalimin në Universitetin Amerikan. Kjo i ofroi atij një kontekst historik të ngjashëm me përpjekjet diplomatike të paraardhësit të tij, John Kennedy. Gjatë një fjalimi në vitin 1963 në Universitetin Amerikan, Presidenti Kenedi bëri thirrje historike për diplomaci me Bashkimin Sovjetik si rruga drejt çarmatimit bërthamor.

Fjalimi i Presidentit Obama mbahet në një kohë kur anketat e reja tregojnë rënie të mbështetjes së publikut për marrëveshjen, dhe skepticizëm të gjerë mes amerikanëve lidhur me qëllimet dhe gatishmërinë e Iranit për respektimin e saj.

XS
SM
MD
LG