Lidhje

Kosova, kundër një dite të përbashkët për viktimat në ish-Jugosllavi


Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e ka hedhur poshtë idenë e krijimit të një dite të përbashkët të kujtimit të të gjithë viktimave të konfliktit në ish-Jugosllavi.

Ditë më parë, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha në Beograd se gjatë forumit të Vjenës që pritet të mbahet më 27 gusht, do të propozojë për të krijuar një ditë të përkujtimit të të gjithë viktimave. "Konferenca e Vjenës do të sugjerojë vendet e përfshira në konfliktet në ish-Jugosllavi për të krijuar një ditë të përbashkët të përkujtimit të të gjitha viktimave në këto konflikte," tha zoti Vuçiç duke nënvizuar se me këtë ditë të gjitha vendet mund të tregojnë të njëjtin respekt ndaj të gjitha viktimave në Ballkan.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk mund të barazohen kryesit e gjenocidit dhe mbrojtësit e atdheut. “Pretendimi i udhëheqësve serb për relativizimin dhe rishkrimin e historisë dhe barazimin e atyre që nxitën, organizuan dhe kryen gjenocid me ata që u mbrojtën në vendin e vet nuk është njerëzore dhe nuk i shërben pajtimit. Pajtimi duhet t'i shërbejë së ardhmes dhe jo politikës ditore e spektakleve mediale”, thuhet në reagimet e zotit Thaçi.

Propozimin e kryeministrit serb e ka kundërshtuar edhe kryeministri i Kroacisë Zoran Milanoviç.

Luftërat e viteve të 90-ta në ish Jugosllavi lanë pas vetes qindra mijëra persona të vrarë dhe mijëra persona që ende vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

XS
SM
MD
LG