Lidhje

Ligji i votës në shtetin Uiskonsin


Ligjet që kërkojnë nga votuesit amerikanë të paraqesin kartën e identitetit para votimit kanë shkaktuar debate të ndezuara. Deri tani mbi 30 shtete amerikane kanë miratuar ligje që u kërkojnë shtetasve të tyre një formë identifikimi para se të hedhin votën. Shteti Uiskonsin miratoi së fundmi një ndër ligjet më të forta mbi kartat e identitetit për zgjedhësit. Siç njofton korrespondenti Jeff Swicord ligji vazhdon të ngjallë polemika dhe nuk dihet ende si do të ndikojë tek pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale 2016:

Anita Johnson është aktiviste në Milluaki dhe po ndihmon votuesit në Uiskonsin të kuptojnë se çfarë ndryshimesh ka sjellë ligji i ri:

Uiskonsini është një ndër 30 shtetet ku ligjvënësit dhe guvernatorët kanë miratuar ligje kufizuese ndaj votës, duke u kërkuar shtetasve të tregojnë një dokument identifikimi para se të votojnë.

Sipas ligjit, votuesit duhet të tregojnë patentën e ngarjes së makinës, një letërnjoftim të nxjerrë nga shteti, ose pasaportën për të votuar. Sipas përllogaritjeve, 340 mijë banorë të Uiskonsinit nuk i disponojnë këto dokumente:

“Arsyeja për ndryshimin e ligjit, që tani na kërkon të tregojmë kartën e identitetit, ishte që të pengoheshin njerëzit dhe të mos votonin”.

Guvernatori republikan i Uiskonsinit Scott Walker e nënshkroi ligjin në maj 2011. Ai e ka komentuar këtë masë si një domosdoshmëri për të parandaluar manipulimin e votës dhe është zotuar se Uiskonsini do të bëjë çdo përpjekje për të garantuar që votuesit legjitimë të kenë dokumentet e nevojshme, përfshirë edhe pajisjen e tyre falas me dokumente.

“Të gjithë ata që me të drejtën legjitime për të votuar do të mund ta ushtrojnë këtë të drejtë. Dua ta bëj të qartë se këtu në Uiskonsin po mbrojmë çdo votë”.

Por kundërshtarët thonë se synimi është të pengohet vota e lirë, duke ngritur argumentin se nuk ka thuajse asnjë dëshmi për manipulim votash në këtë shtet.

Politologu David Canon thotë se e gjithë kjo është pjesë e betejës për vota në shkallë kombëtare:

“Republikanët e shohin këtë si shans për të siguruar avantazh në zgjedhje, duke reduktuar numrin e personave që do të votonin pro Partisë Demokrate. Nga ana e saj Partia Demokrate e sheh si shtypje të së drejtës së votës”.

Votues si 86-vjeçari Melvin Robertson, i cili ka votuar gjithë jetën, tani gjenden para një dileme.

Melvin nuk ka asnjë nga dokumentat e identifikimit të kërkuara me ligj. Kur u përpoq të nxirrte certifikatën e lindjes në gjykatë, u kthye duarbosh, pasi regjistri i gjendjes civile nuk përmbante asnjë të dhënë për të. Melvin e konsideron votën si detyrën e tij qytetare:

Pavarësisht nga kritikat, republikanët janë të palëkundur. Anëtari i Komisionit Elektoral të qytetit Miuaki, republikani Rick Baas nuk e pranon argumentin se ligji është i padrejtë ndaj pakicave:

“Unë vetë jam pjesë e këtij segmenti demokrafik, prandaj më ofendon argumenti se pakicat janë të paafta të nxjerrin një kartë identiteti. Nëse je amerikan, duhet të votosh”.

Ligj tashmë është miratuar dhe zgjedhjet presidenciale të 2016 po afrojnë, prandaj aktivistë si Anita Johnson vazhdojnë punën.

Askush nuk mund të parashikojë ende nëse 7-12% e elektoratit që mund të ndikohet nga ligji do të jetë në gjendje të sigurojë kartat e duhura të identitetit.

Por duke pasur parasysh se garat e kohëve të fundit në Uiskonsin janë vendosur nga një diferencë e ngushtë, ekspertët thonë se ligji i ri mund të bëhet faktor në rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet.

XS
SM
MD
LG