Lidhje

Restorantet në qiell të hapur


Restorantet nën qiell të hapur nuk kanë qenë kurrë më popullore në Los Anxhelos. Klientët që frekuentojnë restorantet në këtë qytet tani kërkojnë të ulen në verandë apo në tarracat e hapura, për të shijuar panoramën tërheqëse dhe motin e mrekullueshëm.

Moti në Kaliforninë e jugut është ideal për restorante të hapura. Por klientët nuk duan të frekuentojnë restorantet në qendër, ku zhurma dhe tymi i makinave bëhen të bezdisshme gjatë ngrënies. Ata preferojnë restorantet në tarraca.

Restoranti i ri E.P. & L.P. i hapi dyert në maj në lagjen e famshme Melrose Place. Klientët që vijnë këtu preferojnë verandën me pamje nga kodrat e Hollivudit. Grant Smillie, është menaxher i restorantit:

"Nëse e mbyll këtë ambjent, do ta dëmtosh disi bukurinë e panoramës. Nëse ngjitesh një bllok, je tepër afër me kodrat, nëse largohesh një bllok nuk do të shijosh bukurinë e kodrave. Në këtë pikë shijon dritën natyrale dhe njerëzit e panoramën”.

Pak metra më tutje është restoranti i ri Pump që shërben kuzhinë franceze në një tarracë të gjelbëruar që pak kohë më pare shërbente si parkim. Kopshti ku janë vënë tavolinat është gjelbëruar dhe është shndërruar në një ullishte të vogël, ku pemët e mbështjella me drita krijojnë një atmosfere të ngrohtë.

Pronarja është Lisa Vanderpump, e njohur si një ndër personazhet e një seriali Reality show. Vajza e saj, Pandora, punon si menaxhere:

"Nuk të shkon në mendje që pak muaj më parë këtu ishte një parkim. Dekori i ri, me pemë ulliri e ka ndryshuar pamjen. Ullinjtë janë 100 vjeçarë, i sollëm me vinç nga Kalifornia e veriut. Ata krijojnë një pamje të mrekullueshme, shumë mesdhetare, kur drita shkëlqen mes gjetheve të pemëve”.

Kjë vëmendje ndaj ambjentit dhe mobilimit të restoranteve është një ndër faktorët që tërheq jo vetëm vizitorë lokalë, por edhe turistë të shumtë. Presidentja e Dhomës së Tregtisë për qytetin West Hollywood, Genevieve Morrill, thotë se turizmi është industria kryesore e zonës:

"Turizmi është ndoshta industria më e madhe e këtij qyteti. Bar-restorantet, klubet e natës dhe hotelet në këtë brez me gjatësi 3 kilometra janë tërheqja kryesore. Në vitin 2014 kishim 1.4 milionë vizitorë dhe rreth 700 milionë dollarë shpenzime të drejtpërdrejta, u hapën 5 mijë e 500 vende të reja pune në industrinë e turizmit”.

Në anën tjetër të qytetit ku banojnë shumë yje të Hollivudit, një restorant i ri, që ka specialitet biftekun, është bërë një destinacion popullor për menunë dhe ambjentin modern, thotë menaxheri Hardeep Birdi.

"Zakonisht restorantet që kanë specialitet piatat e mishit kanë një mobilim të rëndë, me panele druri të errët. Ne donim elementë nga Kalifornia e jugut. Grilat e dritareve i bëmë me porosi. Mbulesa e restorantit është e lëvizshme dhe na jep mundësi ta hapim në mot të mirë. Kemi një verandë shumë të madhe”.

Eshtë një ambjent që ofron jo vetëm një natë të këndshme dhe një darkë të shijshme, por edhe mundësinë për të ngrënë në shoqërinë e yjeve të Hollivudit që e frekuentojnë shpesh këtë lokal.

XS
SM
MD
LG