Lidhje

Eksperimenti në burgun Stanford


Presidenti Barack Obama është presidenti i parë amerikan që vizitoi një burg federal. Ai synon të reformojë sistemin e vuajtjes së dënimit në SHBA, dhe të krijojë më shumë programe rehabilitimi për ish të burgosurit. Një film i ri mbi një eksperiment të dështuar psikologjik në burgje, po ndihmon të paraqesë arsyet pse sistemi i burgjeve amerikane ka nevojë të reformohet.

Shoqata “Fortune”, në këtë rezidencë të vjetër në Harlemin perëndimor, ka 62 shtretër për të pastrehë që janë ish të burgosur. Këtu, ata i përshtaten jetës jashtë burgut. Në shoqatë, sot po shfaqet një film. Kyle Patrick Alvarez, drejtori i filmit “Eksperimenti i burgut Stanford”, po e shfaq atë për ish të burgosurit.

Në vitin 1971, psikologu amerikan Philip Zimbardo u kërkoi 25 studentëve të luajnë rolet e të burgosurve dhe të gardianëve, ndërkohë që ai do të vëzhgonte sjelljen e tyre. Studentët i morën rolet shumë për zemër. “Gardianët” u bënë të ashpër, madje edhe sadistë, ndërsa “të burgosurit” patën kolaps mendor. Eksperimenti u desh që të ndalohej pas gjashtë ditësh.

Doktor Zimbardo luhet në film nga aktori Billy Crudup. Në Nju Jork, doktori i vërtetë Zimbardo ka ardhur të vizitojë të burgosurit.

“Problemi është se me kalimin e kohës fillova të mendoj si një përgjegjës burgu. Pra, kujdesesh më shumë për gardianët se sa për të burgosurit, për institucionin mbi gjithçka tjetër.”

Reagimet e disa prej ish të burgosurve ishin tepër emocionale.

“Më krijoi një lëmsh në fyt. Më kujtohen ditët kur na zgjonin në mes të natës. Nuk kishte fare rëndësi nëse qëndroje aty në të mbathura.”

Drejtori i filmit, Kyle Patrick Alvarez, thotë se pati arsye për të bërë këtë film.

“Doja të krijoja të tilla diskutime si këto sot.”

Në burgjet amerikane ndodhen dy milionë persona, shumica të racave minoritare. Praktikohet burgosja në vetmi për periudha të gjata, ndërkohë që kjo konsiderohet torturë në shumë vende të tjera. Mbështetësit e dënimeve të rënda thonë se kjo është një formë ndëshkimi ekstrem, ndërkohë që David Rothenberg, thotë se rehabilitimi është gjithashtu pikësynim i sistemit, dhe në këtë mënyrë nuk po arrihet.

“Mendoj se është një film shumë i fuqishëm. Një spektator p.sh. ishte shumë i inatosur me Doktor Zimbardon për këtë eksperiment. Unë e pyeta nëse është po aq i inatosur me sistemin e burgjeve që Zimbardo riprodhoi?”

Sot, doktor Zimbardo vazhdon të studiojë efektet e burgimit dhe të ushtrimit të pushtetit të pakufizuar mbi qeniet njerëzore.

“Pushtetin mund ta përdorësh pozitivisht. Pra, qëllimi i projektit tim të ri është t’u mësojë njerëzve si ta përdorin pushtetin në favor të kujdesit, të shkollave dhe të burgjeve, ku mbizotëron dhembshuria dhe jo fuqia.”

Krijuesit e filmit shpresojnë të rrisin ndërgjegjësimin mbi efektet dëmtuese të burgut.

XS
SM
MD
LG