Lidhje

Obama komenton për Iranin


Presidenti amerikan Barak Obama nuk i kushtoi rëndësi një provokimi ndaj tij të bërë nga Irani dhe ankesave politike në Shtetet e Bashkuara lidhur me marrëveshjen ndërkombëtare për ndalimin e programit bërthamor të Teheranit.

Në një intervistë të transmetuar sot në rrjetin CNN, zoti Obama nuk i kushtoi vemendje një postimi në Twitter të bërë nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ku dukej silueta e udhëheqësit amerikan me një revolver në kokën e tij.

Presidenti Obama i tha CNN-it se "superfuqitë nuk u përgjigjen provokimeve të këtij lloji. Superfuqitë, tha ai, përqëndrohen në atë që duhet të bëjnë për të ruajtur sigurinë e tyre kombëtare dhe sigurinë e aleatëve e të vendeve mike."

Zoti Obama tha se ai "nuk është i interesuar të shkëmbejë mesazhe në Twitter me udhëheqësin iranian. Ajo që më intereson, - tha ai, - është marrëveshja në vetvete dhe nëse ne mund ta zbatojmë atë."

Presidenti Obama thotë se kundërshtarët politikë të marrëveshjes në SHBA, veçanërisht disa ligjvënës republikanë në Kongres, e kanë vendosur veten në një linjë me kundërshtarët radikalë të marrëveshjes në Iran. Ky karakterizim i Presidentit është hedhur poshtë nga ata ligjvënës që bëjnë thirrje për të mos e miratuar paktin me Iranin.

XS
SM
MD
LG