Lidhje

Debati mbi imigrantët e mitur në SHBA


Sipas studimeve të fundit, numri i emigrantëve të paligjshëm që kalojnë kufirin amerikan ka shënuar rënie në vitet e fundit. Megjithatë, ndalimi i fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë arriti kulmin vitin e kaluar, duke krijuar një krizë e cila rindezi debatin mbi reformën e imigracionit. Shërbimi në gjuhën spanjolle i Zërit të Amerikës përgatiti këtë kronikë rreth debatit mbi këtë çështje.

Një vit pas krizës së imigrantëve mitur në kufirin SHBA-Meksikë, shpresa për zgjidhjen e problemit duket e largët.

Analistët thonë se ligjvënësit amerikanë nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për shkak të polarizimit në Kongres mbi çështjen e imigracionit.

Matt Salmon ëdhtë ligjvënës republikan

"Në fund të fundit, unë shpresoj dhe dëshiroj që ata të kthehen në vendet e tyre sa më shpejtë që të jetë e mundur, duke treguar se pesë ose tetë mijë dollarët që u kanë paguar trafikantëve kanë qenë një humbje për ta".

Norma Torres është ligjvënëse demokrate

"Tani ata nuk mund të shkojnë te qeveria dhe të thonë,"po raportoj një krim, a mund të më ndihmoni të lëviz në një vend tjetër të sigurt?"

Ndërkohë, administrata e Presidentit Obama po shton përpjekjet për të parandaluar përsëritjen e kësaj historie.

Katherine Vargas është me Zyrën për Median Hispanike në Shtëpinë e Bardhë.

"Mesazhi është i qartë: kufijtë tanë nuk janë të hapur për imigracionin e paligjshëm. Ndaj atyre që nuk kanë arsye për të marrë vizë ose mbrojtje humanitare, ne do të zbatojmë ligjet tona. Do të ketë deportime. Është e rëndësishme që ata të mos rrezikojnë jetën e të dashurve të tyre".

Ndërkohë, mijëra të mitur dhe familje vazhdojnë të kalojnë kufirin nga Meksika në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht se numri i tyre nuk është aq i lartë sa në vitin 2014, analistët thonë se kjo është shqetësuese.

Adam Isacson, ekspert i rajonit të Amerikës Latine

"Nga pikëpamja humanitare kjo mund të jetë një fatkeqësi, një tragjedi".

Adam Isacson, një ekspert i sigurisë rajonale, thotë se shtimi i kontrolleve kufitare mund të shkelë të drejtat e këtyre fëmijëve që janë larguar nga vendet e tyre për shkak të pasigurisë së shkaktuar nga bandat kriminale.

Adam Isacson, ekspert i rajonit të Amerikës Latine

"Në qoftë se ata po ikin nga dhuna dhe pa u dhënë një shans për të mbrojtur veten e tyre, ne i kthejmë ata menjëherë në vendet e tyre, ne, si amerikanë, vërtetë do të jemi përgjegjës për vdekjet dhe vuajtjet e tyre".

Sipas raportit të fundit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, arrestimi i të miturve në kufi ka rënë më shumë se 50 përqind në krahasim me vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG