Lidhje

Një vjetori i protestave në Ferguson


Policia në Ferguson të Mizurit tha se një person është në gjendje kritike pasi u qëllua nga policia dje gjatë një shkëmbimi me armë afër një marshimi paqësor për një vjetorin e vrasjes së një adoleshenti afrikano- amerikan nga një polic i bardhë. Gazeta St. Louis Post-Dispatch njofton se babai i të dyshuarit e ka identifikuar atë si 18 vjeçarin Tyrone Harris Jr. duke thënë se ai ishte shok i ngushtë i 18 vjeçarit Michael Brown i cili vitin e kaluar u vra nga policia në Ferguson.

Shefi i Policisë në St. Louis, Jon Belmar tha se agjentë të policisë me rroba civile po vëzhgonin një person që ata dyshonin se ishte i armatosur. I dyshuari ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri mes dy grupeve, në afërsi të vendit të protestave. Më pas ai iu afrua një makine policie pa shenja dalluese dhe hapi zjarr ndaj saj. Katër punonjës policie që ishin brenda në maakinë iu përgjigjen sulmit duke qëlluar personin e dyshuar, tha zoti Belmar.

“I dyshuari qëlloi makinën e policisë katër ose pesë herë. Agjentët e policisë u përgjigjen. I dyshuari u largua në drejtim të oborrit të një ndërtese ku ai përsëri qëlloi në drejtim të katër agjentëve të policisë të cilët u përgjigjen menjëherë duke e qëlluar atë. I dyshuari është në gjendje kritike dhe po trajtohet në një spital lokal”.

Zoti Belmar tha në një konferencë shtypi se shpërthimi i dhunës ishte "një pengesë për ndryshimet pozitive", duke theksuar se protestuesit nuk ishin pjesë e shkëmbimit me armë zjarri.

Shefi i policisë tha se ai besonte se dhuna ishte e shmangshme, dhe se shumë njerëz në Ferguson po punojnë për të parandaluar dhunën.

“Është një grup i vogël njerëzish që kanë për qëllim të pengojnë paqen. Nuk di si ta them ndryshe. Por ky është thelbi i problemit”.

Ai gjithashtu njoftoi se të dielën në mbrëmje, një polic u plagos pasi u godit me një tullë në Ferguson.

Pas incidentit me armë, policia urdhëroi njerëzit e mbledhur të largoheshin nga zona dhe përdori bomba tymyese për të shpërndarë turmën. Disa protestues kritikuan policinë në Twitter, duke thënë se bombat tymuese u hodhën pasi njerëzit filluan t’u bindeshin urdhërave të policisë.

Gjatë gjithë ditës së djeshme, situata ishte e qetë ndërkohë që marshuesit u mblodhën në vendin ku adoleshenti Michael Brown u qëllua nga polici Darren Wilson më 9 gusht 2014, gjatë një konfrontimi në rrugë. Protestat që pasuan vrasjen e tij e vunë qytetin e Fergusonit në qendër të vëmendjes kombëtare dhe nxitën thirrjet për një trajtim më të mirë të pakicave nga ana e policisë.

Edhe pse nëntorin e kaluar një juri vendosi të mos ngrejë akuza ndaj policit Darren Wilson për vdekjen e adoleshentit Michael Brown, një hetim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka gjetur se afrikano-amerikanët janë vënë në shënjestër padrejtësisht nga policia e qytetit të Fergusonit, shumica e pjesëtarëve të së cilës janë të bardhë.

XS
SM
MD
LG