Lidhje

67 të vrarë nga shpërthimi në Bagdat


Zyrtarët irakianë thonë se një kamion bombë i fuqishëm shpërtheu në një lagje shiite të Bagdadit të enjten, duke vrarë të paktën 67 njerëz në një nga sulmet më të mëdha me bomba në kryeqytet në disa muaj.

Sipas zyrtarëve, dhjetra të tjerë u plagosën kur një kamion frigorifer i mbushur me eksplozivë shpërtheu menjëherë pas agimit në tregun Jameela të mbushur me njerëz në qytetin Sadër.

Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.

Shpërthimi la pas një skenë shkatërrimesh, me pjesë trupash, fruta dhe perime, të shpërndarë nëpër treg, një nga më të mëdhenjtë në Bagdad.

Ky është sulmi i fundit i Shtetit Islamik në zonat e dominuara nga shiitët, të cilët ai i konsideron si heretikë.

Grupi ekstremist suni ka vënë nën kontroll sasi të mëdha të territoresh në Irak në vitin 2014, duke shfrytëzuar zemërimin e gjerë të sunive me qeverinë e dominuar nga shiitët.

Qeveria irakiane është duke luftuar së bashku me grupet e milicisë shiite kundër Shtetit Islamik në disa provinca. Një fushatë ajrore e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka gjithashtu në shënjestër ekstremistët.

Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, Gjenerali Ray Odierno i cili po largohet nga detyra, tha të mërkurën se fushata e bombardimeve ka bërë një përparim të vogël dhe se konflikti ka arritur në një fazë të ngrirë.

Gjenerali Odierno tha se Uashingtoni duhet të konsiderojë gërshetimin e trupave amerikane me forcat irakiane nëse qeveria e Bagdadit nuk do të arrijë përparim kundër Shtetit Islam në disa muajt e ardhshëm.

"Ne ndoshta duhet absolutisht të shqyrtojmë dërgimin e disa ushtarëve me ta, dhe të shohim nëse kjo do të sjellë ndryshim," tha gjenerali Odierno në konferencën e tij të fundit për shtyp në Pentagon. "Unë mendoj se kjo është një mundësi që ne duhet t'i paraqesim presidentit, kur të jetë koha e duhur."

Por gjenerali paralajmëroi kundër një mbështetje të madhe tek forca ushtarake amerikane për të mposhtur militantët, duke thënë se ajo nuk mund të zgjidhë problemet aktuale ekonomike dhe politike të vendit.

"Ne ndoshta mund të shkojmë atje me një sasi të caktuar të forcës amerikane dhe ... të mposhtim ISIL-in. Problemi është, se do të jemi në të njëjtën pikë ku jemi sot edhe gjashtë muaj më vonë," tha ai.

I pyetur nëse shihte ndonjë bashkim mes popullsive shiite dhe suni në të ardhmen, Odierno ishte pesimist, duke thënë se ndarja e vendit është "diçka që mund të ndodhë."

"Ajo mund të jetë zgjidhja e vetme, por nuk jam ende i gatshëm për të thënë një gjë të tillë" përfundoi Odierno.

SHBA FILLON SULMET AJRORE NGA BAZA TURKE

Shtetet e Bashkuara thonë se avionë luftarakë amerikanë kanë ndërmarrë operacione fluturuese nga një bazë turke për të kryer goditje kundër bazave të Shtetit Islamik në Siri.

Pentagoni tha se goditjet filluan dje me avionë F16 nga baza Inçirlik. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi sulmet ajrore me mjete të telekomanduara në fillim të muajit.

Sipas zyrtarëve operacionet zhvillohen për të krijuar një zone të çliruara nga ISIS në Sirinë veriore.

XS
SM
MD
LG