Lidhje

Greqia dhe shpëtimi financiar


Greek Prime Minister Alexis Tsipras listens during his visit at the transport ministry in Athens, Aug. 12, 2015.
Greek Prime Minister Alexis Tsipras listens during his visit at the transport ministry in Athens, Aug. 12, 2015.

Ligjvënësit grekë pritet të votojnë sot një projekt-ligj për të miratuar një paketë shpëtimi financiar prej 93 miliard dollarësh. Projekt-ligji imponon shkurtime të reja shpenzimesh dhe rritje taksash në shkëmbim të fondeve që do t’i mundësonin Athinës t’i paguajë këtë muaj një këst të borxhit Bankës Qendrore Evropiane. Nëse parlamenti e miraton ligjin, ministrat e financave të 19 vendeve të Eurozonës, pritet të nënshkruajnë nesër një marrëveshje.

Greqia ka nevojë për fonde, sepse më 20 gusht duhet t’i paguajë Bankës Qendrore Evropiane një këst borxhi prej rreth 3.5 miliardë dollarësh.

Greqia është në vështirësi financiare prej më shumë se pesë vjetësh dhe kishte marrë dy paketa shpëtimi financiar kur erdhi shumë pranë rrezikut të një falimentimi në muajin qershor.

Kritikët thonë se qytetarët grekë kanë duruar tashmë mjaft kufizime financiare dhe se masat shtrënguese do ta dëmtojë më tej ekonominë e sëmurë të vendit.

Qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të frenuar krizën financiare, duke përfshirë mbylljen e bursës për më shumë se një muaj, mbylljen e bankave për tre javë dhe kontrollin e sasisë së parave që mund të tërhiqen nga depozitat.

Nikos, punonjës i sektorit privat, thotë se pret që populli grek të rebelohet.

"Unë shoh më shumë mjerim në të ardhmen dhe mendoj se njerëzit do të rebelohen. Bashkimi Evropian dëshiron të ketë skllevër, unë jam kundër kësaj. Dëshira ime është që të kthehemi te dhrahmia dhe që të dalim menjëherë nga BE-ja".

Maria, nëpunëse civile në pension, tha se ishte e shqetësuar për gjendjen me të cilën grekët do të përballen në fund të periudhës tre-vjeçare të ndihmës.

"Mendoj se masat e reja do të jenë shumë të ashpra, të paktën bazuar në atë që kam dëgjuar. Në fund të kësaj periudhe trevjeçare shumë grekë do të jenë në prag të falimentimit dhe do të përballen me shumë probleme. Nuk e di se si do të mund të shpëtojmë.”

Vassilis thotë se nuk beson që kjo paketë e tretë shpëtimi do të jetë e fundit për të cilën Greqia do të ketë nevojë.

"Qeveria na premtoi një gjë dhe bëri diçka tjetër. Këto masa janë më të ashpra se masat e mëparshme. Çdo qeveri e re paraqet një plan të ri ndihme. Kjo është paketa e tretë e shpëtimit, por unë pres të ketë edhe një të katërt,” thotë Vassilis.

Analisti politik Nikos Skoutaris thotë se zbatimi i masave të reja shtrënguese është në pikëpyetje, po ashtu si edhe qëndrueshmëria e qeverisë greke.

"Nuk e vë në dyshim se do të kemi zgjedhje të parakohshme, nuk mendoj se dikush në Greqi beson se kjo qeveri mund të zgjasë katër vjet. Në fakt, të gjithë anëtarët e qeverisë e kanë pranuar tashmë se do të ketë zgjedhje të parakohshme."

Analisti thotë se çështja është nëse zgjedhjet do të zhvillohen në shtator apo në nëntor, pas vlerësimit të parë nga kuarteti.

Të dhënat e publikuara sot tregonin se ekonomia e Greqisë papritmas pati rritje në tremujorin e dytë, pavarësisht trazirave politike dhe kërcënimeve për daljen e saj nga eurozona.

XS
SM
MD
LG