Lidhje

Serveri privat i Hillary Clintonit


Kandidatët presidencialë republikanë kanë shprehur shqetësim për faktin që kandidatja demokrate Hillary Clinton kishte përdorur një server privat emaili në shtëpinë e saj për shkëmbime zyrtare. Dy nga 18 kandidatët republikanë, Jeb Bush dhe Mike Huckabee reaguan ndërsa zonja Clinton i dorëzoi Departamentit të Drejtësisë serverin privat dhe një USB me emaile pune nga periudha kur ishte Sekretare Shteti.

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush tha se fakti që FBI-ja ka marrë serverin dhe USB-në e zonjës Clinton tregon sa shqetësues është ky problem.

“Unë mendoj se kjo duhet parë në prizmin e sigurisë kombëtare, nëse informacione sekrete po shkëmbeheshin në një server privat, gjë që është kundër rregullave”, tha zoti Bush dje.

Zoti Huckabee shtroi pyetjen se pse zonja Clinton nuk e kishte dorëzuar më parë serverin.

“Nëse rezulton që Hillary Clinton ka shkëmbyer emaile shumë sekret dhe ia ka dërguar ato gjithkujt përmes atij serveri, do të jetë e vështirë që të shmangësh pasoja si ato ndaj David Petraeus, i cili u dënua për një krim të ngjashëm”.

Përdorimi i emailit privat për çështje zyrtare nga zonja Clinton kur ishte kryediplomate, u bë i ditur në mars dhe u kritikua ashpër nga kundërshtarët politikë që e akuzuan se kishte anashkaluar ligjet e transparencës dhe ruajtjes së korresponencës.

Adresa e saj private ishte e lidhur me një server në shtëpinë e saj në Nju Jork. Për muaj me radhë, ligjvënësit republikanë kanë kërkuar që zonja Clinton ta dorëzojë serverin për inspektim nga një palë e pavarur por ajo ka refuzuar. Disa nga ata ligjvënës po thonë tani se u vërtetua se shqetësimet e tyre ishin të justifikuara dhe jo të motivuara vetëm nga politika.

Vetë zonja Clinton ka reaguar vazhdimisht ndaj kritikave.

“Mendoj se ka aq shumë paqartësi për këtë çështje saqë e kuptoj se pse gazetarët dhe publiku po bëjnë pyetje. Por faktet janë të qarta. Në atë kohë unë nuk kisha shkëmbyer asnjë informacion sekret”.

Si Departamenti i Drejtësisë ashtu edhe FBI-ja nuk pranuan të komentonin.

FBI-ja së fundmi filloi të shqyrtonte sigurinë e komunikimeve federale dhe informacioneve sekrete në emailet e zonjës Clinton. Qeveria amerikane i konsideron komunikimet federale pronë të qeverisë.

Sipas disa anketave të muajve të fundit, më shumë se gjysma e votuesve nuk kanë besim tek zonja Clinton, megjithëse ajo mbetet kandidatja e preferuar për emërimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2016.

XS
SM
MD
LG