Lidhje

Aftësitë profesionale të munguara


Mijëra vende pune mbeten bosh dhe punëdhënësit kanë vështirësi të gjejnë punonjës me aftësitë e duhura, ndërkohë që nuk është e dosmosdoshme të kesh një diplomë universitare për t’u punësuar në një nga këta sektorë që paguajnë mirë. Një organizatë jo-fitimprurëse po gjen zgjidhjen.

Instruktori i mbiquajtur Opo jep mësim në shkollën teknologjike Per Scholas, në Bronksin jugor të qytetit Nju Jork. Emri i tij i plotë është Rodolfo Herrera, dhe ka qenë vetë student këtu dikur.

“Po u mësojmë studentëve teknologjitë e reja, praktikat e programeve të reja, që synojnë uljen e shpenzimeve, rritjen e prodhimtarisë, dhe zhvillimin e produkteve të reja, pasi teknologjia tashmë është e gjitha e lëvizshme dhe në ndryshim të vazhdueshëm.”

Në latinisht, Per Scholas do të thotë “nëpërmjet arsimimit”, dhe kjo shkollë trajnon më shumë se 700 persona në vit në pesë degë të ndryshme në Shtetet e Bashkuara. 400 prej tyre mësojnë në Nju Jork.

“Programi arsimor i kolegjit nuk adaptohet dot aq shpejt si këtu në Per Scholas. Ne e përgatisim një kandidat për një punë të caktuar për vetëm tetë javë.”

Këtu nuk ka pagesë mësimdhënieje. Gjithçka financohet nga fondacione private, komerciale dhe qeveritare. Studentët janë inteligjentë dhe të motivuar.

“Është një investim për mua.”

“Kam ardhur për një ndryshim në karrierë. Kam qenë në fushën e mjekësisë dhe dua t’i futem teknologjisë së informacionit. Mendoj se mund t’i kombinoj të dyja fushat.”

Chauncy Lennon, i bankës JP Morgan Chase, autor i një studimi në këtë fushë, thotë se Majah kombinon dy sektorët me kërkesat më të larta për vende pune: mjekësia dhe teknologjia e informacionit.

Studimi i tij zbuloi se vetëm në Nju Jork ka 25 mijë vende pune të paplotësuara të nivelit të mesëm në sektorin e shëndetësisë, dhe 8100 vende pune në fushën e informacionit të teknologjisë, ndërkohë që pritet të shtohen me 15% në katër vitet e ardhshme. Të ardhurat në të dyja fushat janë më të larta se sa standarti aktual i jetesës.

“Problemi gjendet tek punonjësit, por edhe tek punëdhënësit, të cilët shpesh nuk dërgojnë sinjalet e duhura. Ne duhet ta kuptojmë qartë prej punëdhënësve se cilat janë vendet e punës që po vështirësohen t’i plotësojnë dhe çfarë aftësish kërkohen për to.”

Studentët e shkollës Per Scholas janë tashmë të pajisur më këtë informacion dhe të gatshëm për punë.

“E di që nuk do ta filloj nga fundi, por jam e gatshme edhe t’ja filloj me një program praktike ose stazhi.”

XS
SM
MD
LG