Lidhje

Moska, Teherani mbështesin Asadin


Rusia dhe Irani paralajmëruan sot se fati i Presidentit sirian Bashar al-Asad nuk mund të vendoset nga jashtë. Moska tha se do të kundërshtojë çdo përpjekje për heqjen e presidentit sirian, si pjesë e një marrëveshjeje për paqe.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov dhe homologu i tij iranian, Mohammad Javad Zarif, përsëritën mbështetjen e tyre për Assadin në konfliktin sirian, ku që nga viti 2011 janë vrarë një çerek milioni njerëz.

Diplomacia e nivelit të lartë në mes të aktorëve rajonalë dhe globalë në krizë e Sirisë, deri tani nuk ka arritur të kapërcejë një ndër pikat kryesore të debatueshme – çështjen e së ardhmes së Assadit, të cilin grupet e ndryshme të opozitës siriane, shtetet arabe të Gjirit dhe Perëndimi nuk e duan në pushtet. Sergej Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë:

"Ne gjithmonë jemi shprehur që fati i Sirisë, fati i shtetit sirian të vendoset nga vetë sirianët, pa ndërhyrje nga jashtë, pa asnjë kusht paraprak, pa ndonjë sugjerim të imponuar nga aktorë të jashtëm," tha ministri Lavrov.

Zoti Lavrov tha se për fatin e Assadit mund të bihet dakord vetëm në bisedime të drejtpërdrejta midis përfaqësuesve të qeverisë së tij dhe rivalëve të tyre, komente të cilave u bëri jehonë edhe ministri i jashtëm iranian, Zarif:

"Të dy vendet tona kanë qëndrim të përbashkët për krizën në Siri. Ne absolutisht jemi dakord me njëri-tjetrin që populli i Sirisë duhet të vendosë vetë për fatin dhe të ardhmen e tij dhe që vendet e huaja thjesht të ndihmojnë për të përmirësuar kushtet për këtë dialog", tha zoti Zarif .

Rusia, aleate e vjetër dhe furnizuese me armë e Assadit, thotë se të gjitha palët tani duhet të bashkojnë radhët për të luftuar shtetin islamik.

Por Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe aleatët e tyre thonë se Assadi është pjesë e problemit, jo zgjidhja, dhe se ai është të paktën pjesërisht përgjegjës për fitoret e grupit shteti islamik në terren.

Ata po kryejnë sulme ajrore ndaj pozicioneve të shtetit islamik në Siri dhe Irak dhe janë mosbesues ndaj përpjekjeve të Rusisë, duke i parë ato si lëvizje që synojnë mbajtjen e Presidentit Assad në pushtet.

Zoti Lavrov tha gjithashtu se ai dyshon se Ukraina po përgatit një ofensivë të re kundër separatistëve pro-Moskës në Ukrainën lindore pas një intensifikimi të luftimeve atje.

Përplasjet pranë qytetit port Mariupol dhe qytetit Horlivka që mbahet nga kryengritësit, kanë sjellë tendosje të reja në armëpushimin e brishtë mes forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve.

"Ne jemi të shqetësuar për zhvillimet e ditëve të fundit, të cilat të kujtojnë përgatitjet për veprime të reja ushtarake," tha zoti Lavrov.

Të dyja palët kanë tërhequr armët e rënda sipas kushteve të marrëveshjes së paqes që u arrit në Minsk në muajin shkurt, por njerëzit ende vazhdojnë të vriten rregullisht gjatë shpërthimeve sporadike të luftimeve.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat se ka dërguar trupa për të mbështetur separatistët.

XS
SM
MD
LG