Lidhje

Pentagoni do shtojë përdorimin e dronëve


Numri i avionëve me telekomandë që përdorin Shtetet e Bashkuara në mbarë botën do të rritet me afro 50 përqind.

Plani në fjalë kërkon shtimin e numrit të fluturimeve ditore të këtyre avionëve nga rreth 60 deri në 90, tha të hënën zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis.

Avionët me telekomandë mbledhin të dhëna nga pikat e nxehta në mbarë botën dhe kanë aftësi luftarake, që është edhe pjesa më e debatueshme. Anës luftarake të avionëve me telekomandë i është vënë ndjeshëm një theks më i madh gjatë administratë së presidentit Barack Obama.

Zëdhënësi i Pentagonit tha se shtimi i fluturimeve me këta avionë do të ketë nevojë për më shumë analistë që përpunojnë informacionet e zbulimit.

Zoti Davis tha se pjesa më e madhe e fluturimeve me telekomandë realizohet nga Forca Ajrore, por plani i ri do ta zgjerojë programin edhe për degë të tjera brenda Pentagonit deri tek kontraktorët që punojnë për qeverinë.

Forca Ajrore, tha zëdhënësi i Pentagonit Jeff Davis, do të vazhdojë të kryejë rreth 60 fluturime të tilla në ditë, ndërkohë që këmbësoria do të kontribuojë me 10 deri 20 fluturime. Komanda e Operacioneve Speciale do të kryejë rreth 10 misione me avionë me telekomandë. Po ashtu, tha ai, do të punësohen kontraktorë për qeverinë për të kryer deri në 10 fluturime në ditë, por asnjë nga këta avionë nuk do të jetë i pajisur me armatim.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer operacione me avionë të telekomanduar në vende si Pakistani, Afganistani, Iraku, Jemeni dhe Somalia, për të vënë në shënjestër udhëheqës terroristë.

Gjatë kohës së luftrave në Irak dhe Afganistan, kërkesat e komandantëve për avionë të telekomanduar u rrit mjaft, saqë Pentagoni e ka patur të vështirë të plotësojë kërkesast.

Një anketë në fillim të vitit e realizuar nga Associated Press, gjeti se shumica e amerikanëve, rreth 60 përqind, mbështesin përdorimin e këtyre avionëve për të vënë në shënjestër terroristët. Anketa tregoi se vetëm 13 përqind e amerikanëve u shprehën kundër, ndërkohë që 24 përqind ishin të painteresuar.

XS
SM
MD
LG