Lidhje

Donald Trump dhe çështja e imigracionit


Biznesmeni dhe kandidat republikan për president, Donald Trump, në deklaratat e tij të fundit mbi reformën e emigracionit, tha se foshnjave të emigrantëve që jetojnë ilegalisht në SHBA duhet t’u mohohet shtetësia amerikane.

"Ne duhet të krijojmë një grup të ri standardesh, dhe kur njerëzit vijnë në SHBA, duhet të hyjnë në mënyrë të ligjshme" tha ai.

Më shumë se 50% e emigrantëve pa dokumente në Shtetet e Bashkuara vijnë nga Meksika dhe rreth 25 % të tjerë nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore.

Komentet e zotit Trump shqetësojnë Mayan, një imigrante pa dokumente nga Meksika. Vajza e saj 8-vjeçare ka lindur në Maryland dhe është shtetase amerikane.

Maya kujton natën, 10 vjet më parë, kur ajo kaloi lumin Rio Grande në një varkë të vogël që e solli në Teksas. "E dija se do të kisha shumë probleme, sepse jam pa dokumenta," thotë ajo.

I dashuri i saj Jose, tani burri i saj, në mënyrë të paligjshme kaloi kufirin e SHBA-së gjashtë vjet më parë për një punë më të mirë. "Jo se gjetja e një pune në Meksikë është e vështirë, por të paguajnë shumë pak," shpjegon ai.


Jose punon si lulishtar për një kompani në Maryland që nuk pyet mbi statusin e tij të emigracionit. "Përpiqem të bëj një punë vërtet të mirë kështu që vlerësohem. Por shqetësohem nëse do të kapem dhe deportohen."

Dan Stein, president i Federatës për Reformën e Imigracionit, thotë se miliona njerëz të cilët janë pa dokumenta duhet të deportohen. "Ka me qindra e miliona njerëz të cilët dëshirojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara, dhe nuk mund të ketë një proces vetë-zgjedhjeje për këdo që mendon se këtu do të përmirësojë gjendjen e vet ekonomike" " thotë ai.

Megjithatë, George Escobar, avokat në Casa de Maryland, një grup latin avokatimi, e quan idenë e dëbimit masiv "qesharak dhe tepër të kushtueshëm. Është me kosto të efektshme dhe të dobishme për ekonominë amerikane nëse ata legalizohen", shton ai.

Në vitin 2014, Presidenti Barack Obama shpalli aktin ekzekutiv mbi emigracionin që do të zgjerojë lehtësimin e dëbimit të rreth 50 % të emigrantëve pa dokumenta. Sipas planit, emigrantë të caktuar të dokumentuar, duke përfshirë edhe ata me fëmijë të cilët janë shtetas të SHBA, do të kenë mundësi për të marrë dokumentet e punës. Por ky akt është duke u sfiduar në gjykatë.

"Njerëzit që thonë se ne duhet të kthehemi në vendet tona janë mendje-mbyllur dhe kanë frikë nga ndryshimi, thotë Maya. "Nëse i jepni dokumente dikujt, ju lejoni që personi të bëjë një ndryshim për të mirë."

Por polemikat mbi emigracionit shtohen nga "qytetet e strehimit" - rreth 275 qytete në rreth30 shtete që nuk lejojnë policinë të marrë në pyetje ose ndalojë njerëz thjesht për të përcaktuar statusin e tyre të imigracionit. Vdekja e Kate Steinlit që u vra me armë nga një emigrant i paligjshëm meksikan në San Francisko ngjalli polemika rreth statusit të “qyteteve të strehimit”.

Presidenti i Federatës për Reformën e Imigracionit, Dan Stein, thotë se politikat e “qyteteve të strehimit” janë kundër ligjit federal të imigracionit dhe beson se policia duhet të lejohet të marri në pyetje njerëzit që dyshohen se jetojnë ilegalisht në SHBA. "Kjo duhet të jetë pjesë e punës së përditëshme të policisë në shtete dhe qytete" thotë ai.

Por avokati Escobar thotë se po të veprojë kështu, policia do të tejkalojë kompetencat e veta. "Çdo bashkëpunim midis zyrtarëve federalë të emigracionit dhe policisë vendore është krejtësisht i panevojshëm."

Carlos, një emigrant pa dokumente nga Peruja jeton në Uashington, DC - një qytet strehimi. Ai mendon se personat pa dokumenta do të kenë "frikë të flasin me policin ose të raportojnë krimet," duke e ditur se ata përballen me dëbimin.

Por Stein dhe Escobar janë dakord me një gjë - se sistemi amerikan i emigracionit duhet reformuar.

"Nuk ka dyshim se ju thjesht nuk mund të lini derën të hapur dhe vala e emigrantëve të hyjë në vend”, thotë avokati Escobar, "por duhen parë mënyrat e migrimit për të përcaktuar se kush mund të vijë në SHBA dhe çfarë nevojash ekonomike ka.”


Por presidenti i Federatës për Reformën e Imigracionit, Dan Stein ka një tjetër formulë. "Njerëzit duhet të largohen nga vendi në përputhje me ligjin dhe pastaj të riaplikojnë për pranim në bazë të vizave që janë në dispozicion."

XS
SM
MD
LG