Lidhje

Operacioni antikanabis në Dukagjin


droga tepelene
droga tepelene

Në Shqipëri, forcat e policisë po vazhdojnë prej tre ditësh një operacion për shkatërrimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në zonën e thellë malore të Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës.

Gjatë ditës së sotme, ritmet e operacionit kishin rënë dhe në terren tani veprojnë vetëm forcat policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ndërsa janë larguar nga Dukagjini forcat “Renea” dhe forcat e tjera policore të ardhura nga Tirana, të cilat mbështetën për dy ditë operacionin, në zonat më problematike të Shalës dhe Shoshit

Sipas të dhënave të policisë, deri tani janë shkatërruar 231 parcela me 33 mijë e 480 bimë narkotike, të cilat arrinin lartësinë nga 60 deri në 240 centimetër. Mes parcelave të asgjësuara janë 224 parcela, të identifikuara më parë nga policia përmes fotografimit ajor me ndihmën e helikopterëve të specializuar nga Italia. Ky është edhe operacioni më i madh policor antikanabis, i zhvilluar këtë vit nga policia shqiptare.

Megjithë numrin e madh të parcelave të shkatërruara, policia nuk ka arritur të identifikojë kultivuesit e drogës, me përjashtim të shpalljes në kërkim policor të një banori të fshatit Vuksanaj, në pronën e të cilit policia zbuloi rreth 2 mijë bimë narkotike dhe municion luftarak.

Në operacionin antidrogë në zonën e Dukagjinit, u angazhuan 450 forca të policisë, 70 automjete dhe dy helikopterë. Përveç zonës malore të Dukagjinit, operacionet e policisë janë shtrirë edhe në rrethet Pukë dhe Malësi e Madhe, ku vetëm gjatë ditës së djeshme u shkatërruan me djegje 5 parcela me 1720 bimë narkotike.

Që nga fillimi i këtij viti, në tre rrethet e Qarkut të Shkodrës, policia ka shkatërruar 909 parcela me 126 736 bimë narkotike, duke e renditur Shkodrën edhe këtë vit në krye të zonave, që vazhdojnë të kultivojnë sasitë më të mëdha të bimëve narkotike në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG