Lidhje

Rikthehet krimi në familje


Opinioni publik në Shqipëri u trondit sërish pas vrasjes së një nëne të re nga bashkëshorti xheloz, duke lënë pas fëmijë të pambrojtur. Dhuna në familjet shqiptare po shtohet bashkë me denoncimet e viktimave. Në shumicën e rasteve ato janë nëna të reja e të pafuqishme me fëmijë të mitur.
Studiues të shoqërisë shqiptare pohojnë se këtë gjendje të rëndë nuk mund ta përballojnë vetëm policia dhe gjykatat, por nevojitet bashkëpunimi i disa institucioneve shtetërore.

Dhuna në familje
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

Dhuna dhe vrasjet në familjet shqiptare zunë përsëri faqet e para të shtypit vendas, duke kthyer vëmendjen tek kjo plagë dramatike e shoqërisë, me të cilën pakkush po merret. Në periferi të Tiranës një bashkëshort vrau gruan e tij nënë e një tufë fëmijësh dhe i tha gjykatës se goditjen me dru dhe varjen me rrip të viktimës i kreu vetëm nga xhelozia. Çifti ishte ndarë dhe një herë më parë, por ribashkimi solli përsëritjen e dhunës ekstreme deri në vdekjen e nënës, që humbi jetën dhe la pas fëmijët jetimë pa asnjë kujdes.

Masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare po zbatohen përherë e më shumë në qytetet më të mëdha të vendit. Megjithatë masat e mbrojtjes nga policia dhe gjykatat vlerësohen si të pamjaftueshme në vetëm ato raste që denoncohen nga nënat e dhunuara. Denoncimet e tyre janë shtuar pas një dhune shumëvjecare, që e durojnë për hir të fëmijëve, me shpresën e kotë se ajo do të fashitet dhe burrat do të ndryshojnë. Dhuna midis antarëve të ndryshëm në familje është e larmishme.

Sipas një studimi nga Zyra për Nisma Ligjore dhe Qytetare profili social i viktimës së dhunës në familje në mbi 90 për qind të rasteve është një grua midis 31-40 vjeç, me dy fëmijë, e paarsimuar, e papunë. Ajo përballet me dhunë fizike, psikologjike, e kombinuar dhe e asistuar. Dhunuesit e tyre në shumicën e rasteve janë burra të papërgjegjshëm, të alkoolizuar, me gjendje psikologjike të rënduar, xhelozë dhe të pasionuar pas lojërave të fatit, ku humbin gjithë paratë e familjes.

Studiuesit pohojnë se përveç alkoolit dhe bixhozit, shkaqe të tjera të dhunës së burrave janë papunësia dhe shkollimi i pakët i tyre, mosmarrëveshjet për pasuri dhe prona, bashkëjetesa pas zgjidhjes së martesës. Ndikojnë po ashtu edhe mendësitë e vjetra, vendbanimi, mosha dhe numri i fëmijëve. Një numër i madh çështjesh gjyqësore janë pushuar për shkak se gratë denoncuese i tërheqin paditë nga presionet ose nga shpresa e kotë se burri do të ndryshojë personalitetin e dhunshëm.

Pushteti vendor, autoritetet shtetërore, gjykatat dhe policia deri tani janë treguar të pafuqishme për të frenuar këtë dukuri masive në familjen dhe shoqërinë shqiptare. Studiuesit pohojnë se dhuna në familje nuk mund të zgjidhet vetëm nga forcat e rendit apo drejtësia, por duhen marrë masa të gërshetuara nga shumë institucione, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj dhunuesit që të përmirëohet, edhe ndihmën ndaj fëmijëve, që dhunohen bashkë me nënat në familje, e që rrezikojnë të bëhen përsëritës në dhunës vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG