Lidhje

Transport pasagjerësh me shpejtësi marramendëse


Një kompani amerikane do të fillojë ndërtimin e një sistemi të ri transporti të quajtur Hyperloop, i cili do të transportojë pasagjerë nëpërmjet tunelesh çeliku që do të mundësojnë shpejtësi prej 1200 kilometra në orë. Ky sistem novator mund të ndryshojë përgjithnjë transportin publik.

Gjëra të ëndërruara fantastiko-shkencore mund të bëhen së shpejti realitet. Vitin e ardhshëm fillon puna për një sistem transporti të quajtur Hyperloop. Dirk Ahlborn, është me kompaninë “Hyperloop Transportation Technologies”.

“Në fillim të vitit 2016 do të fillojmë punën në Quay Valley, një qytet i ri që do të ndërtohet në Kaliforni. Trajektorja e atjeshme do të jetë 8 kilometra.”

Qyteti Quay Valley do të funksionojë i gjithi me energji të rinovueshme. Aty do të vendoset edhe projekti i parë Hyperloop, një koncept transporti i paraqitur nga miliarderi Elon Musk.

Dirk Ahlborn, drejtor i “Hyperloop Transportation Technologies”, e mori këtë ide dhe po e zbaton. Ai thotë se ky sistem do të jetë i sigurtë, me kosto të ulët, dhe nuk do të dëmtojë mjedisin.

“Shpikja kryesore është se do të funksionojë 100% me energji diellore.”

Dhe mbi të gjitha, do të jetë i shpejtë.

“Ndoshta nuk do ti kalojmë 760 milje në orë, por besojmë se do të thyejmë rekordin ekzistues.”

Kjo do të thotë që një udhëtim 4-orësh me makinë nga Los Angelos për në Las Vegas, do të bëhej për vetëm 30 minuta me “Hyperloop”.

Ky sistem përbëhet nga një seri kabinash që lëvizin pezull në ajrin brenda një tubi të gjatë pa patur nevojë për shina. Mund të ndërtohet nën tokë, ose mbi të.

Dirk Ahlborn, është me kompaninë “Hyperloop Transportation Technologies”.

“Brenda tubit krijojmë një mjedis me presion të ulët, si një aeroplan që udhëton në lartësi të mëdha. Duke qenë se kabinat hasin në shumë pak rezistencë brenda tubit, atëherë ato mund të udhëtojnë shumë shpejt duke përdorur shumë pak energji.”

Një trajektore e shkurtër në Quay Valley do të përdoret për të testuar mënyrat më të mira të transportimit të pasagjerëve dhe të mirëmbajtjes së kabinave. Ndërkohë do të vazhdojnë përpjekjet për ngritjen e fondeve për këtë projekt në një shkallë më të madhe. Kostoja vlerësohet se do të jetë nga gjashtë deri në dhjetë miliardë dollarë.

Nëse zoti Alhorn dhe kompania e tij ja dalin ta realizojnë këtë ëndërr me sukses, një ditë mund t’i shohim këto kapsula Hyperloop të lëvizin me shpejtësi nëpër tuba të vendosur në të gjithë botën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG