Lidhje

Gara për Shtëpinë e Bardhë


Dy kandidatë të pazakontë, një republikan dhe një demokrat, dominojnë fazat e para të fushatës presidenciale amerikane. Është shumë shpejt për të parashikuar cilët do të jenë kandidatët përfundimtarë që do të përballen në zgjedhje. Por vëmendja që e rrethon biznesmenin Donald Trump dhe senatorin Bernie Sanders sinjalizon se votuesit amerikanë janë të lodhur nga gjendja aktuale e situatës politike.

Miliona amerikanë në anët e kundërta të spektrit politik kanë shprehur pakënaqësi me politikën e zakonshme. Dhe duket se ata mendojnë se pak nga kandidatët e mundshëm presidencialë mund të ofrojnë diçka ndryshe.

Manjati i pasurive të patundshme Donald Trump ka përdorur këtë pakënaqësi në avantazh të tij.

"Ka një lëvizje të madhe që po ndodh dhe ajo nuk ka të bëj me mua. Por me atë që unë them. Me mesazhin tim."

Disa analistë politik kanë përqeshur shpresat e Trumpit për të marr kandidaturën e Partisë Republikane për shkak të deklaratave pa takt dhe të stuhishme, si dhe mungesës së një programi të qartë politik. Por anketat e opinionit tregojnë se ai kryeson në kampin republikan që aspiron Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë takimeve që po realizon, Trump duket se po tërheq turma të mëdha njerëzish. Ndërkohë, ish guvernatori i Floridas Jeb Bush, në familjen e dy ish presidentëve amerikanë, konsiderohej si më favoriti kur filloi gara.

"Na duhet një president republikan që të respektojë kushtetutën dhe që nuk nënshkruan urdhëra ekzekutivë rastësisht si diçka që bëhet lehtë.”

Në anën e demokratëve, senatori nga Vermonti, Bernie Sanders tërheq audiecë të madhe kudo që shfaqet. Ai ka një axhendë të qartë që tërheq qytetarët në pozita të pafavorshme.

"Askush nuk e merr seriozish idenë se ndoshta, thjesht ndoshta, ne kemi nevojë për një revolucion politik në Amerikë."

Sanders ka qënë kritik i hapur i kapitalizmit modern dhe thirrja e tij për një shpërndarje më të barabartë të të ardhurave rezonon me votuesit, por kritikët thonë se axhenda e tij socialiste nuk do ta ndihmojë të marr kandidaturën e partisë së tij.

Ish Zonja e Parë dhe Sekretare e Shtetit, Hillary Clinton, ende është në krye të anketave në garë.

"Ne do të punojmë drejt mundësive. Ne do ta bëjmë vendin tonë përsëri një vend ku nuk i kthen kurrizin askujt."

Pavarësisht vëmendjes që tërheqin, as Trump dhe as Sanders nuk pritet të fitojnë kandidaturat e partive respektive për zgjedhjet 2016. Por analistët thonë se ata i kanë detyruar kandidatët e tjerë të trajtojnë çështje të debatueshme si imigracioni dhe hendeku në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG