Lidhje

Merkel dënon protestat kundër emigrantëve


Kancelarja gjermane Angela Merkel dënoi protestat e dhunshme gjatë fundjavës kundër refugjatëve në qytetin lindor gjerman Heidenau, duke e quajtur të turpshëm faktin që ekstremistët e djathtë kanë gjetur mbështetje të gjerë tek komunitetet e atjeshme.

“Është e neveritshme të shikosh se si ekstremistët e krahut të djathtë dhe neo-nazistët po shprehin urrejtjen e tyre. Por është po aq e turpshme kur shikon se qytetarë gjermane, madje edhe familje me fëmijë po i mbështesin duke marshuar së bashku me ta,” tha zonja Merkel.

Zonja Merkel i bëri komentet sot në Berlin në një konferencë shtypi me Presidentin francez, François Hollande, përpara bisedimeve me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.

Zoti Hollande tha se asnjë situatë, qoftë edhe më e dhimbshmja, nuk mund të justifikojë akte si ato që u kryen kohët e fundit në Gjermani.

Ai bëri thirrje për të përshpejtuar punën për ngritjen e qendrave të pritjes së emigrantëve në Itali dhe në Greqi.

Zoti Hollande tha: “Është e domosdoshme të regjistrohen njerëzit që vijnë në brigjet tona për të hyrë në Evropë si dhe të bëhet dallimi i nevojshëm mes njerëzve që kërkojnë azil dhe atyre që vijnë thjesht si emigrantë e që nuk mund të pranohen.”

XS
SM
MD
LG