Lidhje

Udhëheqësit e Ballkanit në Samitin e Vjenës


From left, Austrian Foreign Minister Sebastian Kurz, Serbian Foreign Minister Ivica Dacic and Macedonian Foreign Minister Nikola Poposki attend a news conference at the Western Balkans Summit in Vienna, Austria, Aug. 27, 2015.
From left, Austrian Foreign Minister Sebastian Kurz, Serbian Foreign Minister Ivica Dacic and Macedonian Foreign Minister Nikola Poposki attend a news conference at the Western Balkans Summit in Vienna, Austria, Aug. 27, 2015.

Udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit shprehën shqetësim të thellë për krizën e emigrantëve që arrijnë çdo ditë në brigjet evropiane në një takim të nivelit të lartë të zhvilluar sot në Vjenë. Ndërkohë që disa udhëheqës të BE-së po kërkojnë një bashkëpunim më të mirë mes tyre për të ndarë në mënyrë të drejtë peshën e krizës, takimi e priti me tronditje lajmin e gjetjes së emigrantëve të asfiksuar në një kamion në Pandorf të Austrisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti të tmerrshëm lajmin se deri në 50 emigrantë ishin gjetur të vdekur në një kamion me targa hungareze në Austri

"Ne jemi natyrisht të gjithë të tronditur nga lajmi i tmerrshëm që deri në 50 njerëz kanë humbur jetën, sepse ranë në një situatë ku trafikantët nuk pyetën për ta, edhe pse këta njerëz po përpiqeshin të kërkonin më shumë siguri dhe mbrojtje duke përfunduar në një vdekje kaq tragjike. Kjo na kujton se ne duhet të trajtojmë me shpejtësi çështjen e emigracionit dhe në frymë evropiane, pra në frymën e solidaritetit dhe të gjejmë zgjidhje," tha zonja Merkel.

Fjalëve të saj u bënë jehonë edhe udhëheqësit e tjerë të pranishëm në takimin e nivelit të lartë.

Kancelari i Austrisë, Werner Faymann tha se kjo tregon se sa e nevojshme është lufta kundër kriminalitetit dhe trafiqeve për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Kjo tregon edhe një herë se ne duhet të marrim përgjegjësinë dhe t’u japim strehë njerëzve të larguar nga vendet e tyre. Sot emigrantët të cilët ikin për të shpëtuar veten e tyre, humbin jetën në duart e trafikantëve," tha kancelari Faymann.

Dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme, po përpiqen të kalojnë Mesdheun me shpresën për të arritur në Evropë, me anë të anijeve të vogla dhe gomoneve, shpesh të tejmbushura dhe të papërshtatshme për një udhëtim të tillë.

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, foli mbi përgjegjësinë që kanë vendet e BE-së përballë krizës së emigrantëve:

"Ne e kuptojmë shumë mirë se nuk mund të vazhdojmë kështu, me një minutë heshtje sa herë që shohim njerëz që vdesin. Ne e dimë se kemi përgjegjësi për të mbrojtur, natyrisht edhe për të luftuar emigracionin e paligjshëm si dhe kontrabandistët e trafikantët e qënieve njerëzore", tha zonja Mogherini.

Nuk ka zgjidhje magjike, nuk ka asnjë ngjarje magjike që mund të zgjidhë këto çështje nga njëra ditë në tjetrën, por dihet mirë rruga që mund të ndjekim që gjërat të fillojnë të funksionojnë. Ne thjesht duhet të marrim vendime politike, të cilat janë të vështira, kudo në Evropë, dhe jo vetëm në Evropë," tha shefja e politikës së jashtme të BE-së.

Kancelari austriak Faymann shtoi nga ana e tij se është e nevojshme që vendet e ndryshme të punojnë së bashku për t’i gjetur zgjidhje krizës:

"Pikërisht në frymën e bashkëpunimit ne duhet të garantojmë se asnjë vend nuk do të dalë me një propozim në kurriz të një vendi tjetër," tha zoti Faymann.

Hungaria planifikon të përforcojë kufirin e saj jugor me helikopterë, policë me kuaj dhe qen. Ajo po shqyrton gjithashtu përdorimin e ushtrisë ndërkohë që një numër rekord emigrantësh kanë kaluar këto ditë nëpër gardhin me tela të ngritur prej saj në kufirin jugor.

Ndërkohë, në hapje të takimit të nivelit të lartë në Vienë, ministrat e jashtëm bënë komente në konferencën e tyre të shtypit.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se Gjermania do të ndihmonte Maqedoninë dhe Serbinë me deri në 1 milionë Euro për të përballuar fluksin e imigrantëve që kalojnë tranzit përmes këtyre vendeve.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Dacic tha se fillimi i bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, do të ishte mënyra më e mirë për të ndihmuar Serbinë të përballonte fluksin e emigrantëve nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.

“Prej vitesh ju flisni për azilkërkuesit që vijnë nga Serbia, Maqedonia dhe vende të tjera për në Bashkimin Evropian, por unë mund t’ju them se emigrantët vijnë tek ne nga Bashkimi Evropian, prandaj dua t’ju pyes: kur keni ndër mend të vendosni masa kontrolli që parandalojnë kalimin e imigrantëve në Serbi dhe Maqedoni? Dhe kjo çështje nuk zgjidhet thjesht duke na dhënë 1 milionë Eurot që keni premtuar”, tha ai.

Ministri i Jashtëm serb tha se para se t’u kërkohet vendeve si Serbia që të dalin me një plan veprimi për valën e imigrantëve, vendet e Bashkimit Evropian duhet të hartojnë vetë një plan.

Ai tha se që nga fillimi i vitit 2015, rreth 94 mijë emigrantë kryesisht nga Siria dhe Afganistani janë regjistruar në Serbi, pasi kalojnë nëpër vende të BE-së si Greqia, Bullgaria dhe Rumania.

XS
SM
MD
LG