Lidhje

Filmi Cartel Land


Dokumentari i regjisorit Matthew Heineman Cartel Land ka elementë që i kemi parë në filmat me kaubojs. Vetëm se ky tregim është i vërtetë. Dy grupe patrullash vullnetare, një në Shtetet e Bashkuara dhe një në Meksikë, luftojnë një armik të përbashkët: kartelet e drogës.

Në mes të natës, përgatitësit e Metamfetaminës fillojnë punën në shkretëtirë në shtetin meksikan të Michoacanit.

Këto nuk janë skena nga seriali popullor dramatik amerikan “Breaking Bad.” Ky është një moment real i filmuar në dokumentarin e Matthew Heinemanit, Cartel Land.

“Përgatitësi kryesor, kreu i këtij operacioni filloi të më tregonte procesin e gatimit të metamfetaminës me këtë llambë të vogël dore dhe me të fillova të ndiçoja skenën.”

Heineman ofron eksperiencën e parë në jetën e karteleve të drogës dhe vullnetarët në të dyja anët e kufirit që përpiqen të mbrojnë komunitetet e tyre nga tregu i drogës.

“Në Meksikë dhuna është reale. 80,000 njerëz janë vrarë që nga 2007a; 20 mijë janë zhdukur që nga viti 2007.”

Sipas dokumentarit, shteti Michoacan është epiqendra e kësaj dhune. Dr. Jose Mireles është drejtuesi i Autodefensas, një grup vullnetar meksikan që përpiqet të shkatërrojë kartelin.

“Ka shumë skena ku jam ndjerë në rrezik të madh.”

Heineman tregon komunitetet në Michoacan të lodhur nga frika dhe korrupsioni që sjell mungesa e ligjit. Por ushtria, në përpjekje për të rivendosur rendin, konfiskon armët e banorëve.

Në anën amerikane të kufirit, në Arizona, Tim “Nailer” Foley, një veteran i ushtrisë, ka formuar grupin e tij për të luftuar tregtinë ilegale të drogës.

Ai ka marrë përsipër të fusë në grackë imigrantët e paligjshëm, disa prej të cilëve besohet të kontrabandojnë drogën, dhe t’i dorëzojë ata tek patrullat kufitare amerikane.

“Hedh vështrimin mbi kodra dhe sheh anëtarët e kartelit që të vështrojnë. Dëgjon në trafikun e koduar të radiomarrëseve që kanë dhe kupton se ata po flasin për ty. Mund të dëgjosh tek sjellin drogën përgjatë luginës.”

Heineman thotë se patrullat kufitare amerikane ndjehen të pafuqishme, të pakta në numër dhe pa fonde të mjaftueshme. Ai thotë se si qeveria amerikane edhe patrullat vullnetare ndjehen të bllokuar si në betejën biblike të Davidit me Goliathin.

XS
SM
MD
LG