Lidhje

Ligji shqiptar mbi koncensionet dhe mungesa e akteve nënligjore


Në Tiranë, Instituti Shqiptar i Shkencave bëri të ditur se ligji mbi koncensionet ka mbetur pa një seri aktesh nënligjore, por megjithatë zyrtarët po japin kontrata koncensionare. Sipas studimit të këtij Instituti, autoritetet nuk kanë krijuar regjistrin koncensionar dhe nuk kanë përcakuar rregullat e këtyre proceseve për koncensione.

Instituti Shqiptar i Shkencave shprehu shqetësim se autoritetet në Tiranë po japin koncensione edhe për sektorë, që nuk janë parashikuar në ligjin për koncensionet dhe partneritetin publik-privat.

Sipas studimit të këtij Instituti, regjistri koncensionar nuk është krijuar ende, ndërsa këshilli i ministrave, i cili ka detyrimin të nxjerrë aktet nënligjore për funksionimin e tij, ende nuk i ka hartuar ato.

Mungojnë një seri aktesh nënligjore që burojnë nga ligji për koncensionet. Janë mbi 10 nene të ligjit, ku parashikohet drejtpërdrejt detajimi i rregullave me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.

Janë dhënë kontrata koncensionare, por këto akte nënligjore nuk janë miratuar ende.

Regjistri koncensionar duhet të japë informacion për vlerësimin e projektit para se të jepen koncensionet dhe para se të krijohen partneritetet publik-privat, thotë drejtuesja e Institutit, Aranita Brahaj.

Autorët e studimit, pohojnë se transparenca nuk është e plotë sa i takon llogaritjeve në vlerën e koncensioneve.

Po ashtu nuk është e qartë nëse autoritetet kontraktuese, agjenci dhe ministri, kanë apo jo kapacitete njerëzore, a kanë apo jo ekspertë për të bërë llogaritjet reale pa konflikt interesi dhe në dobi të publikut.

Nuk është e qartë as se cilat studio apo cilat kategori ekspertësh mund të kryejë studime fizibiliteti.

Po ashtu nuk janë të qarta kriteret për të vendosur se si do të jetë procedura e hapur apo e kufizuar, me negocim apo me shpallje paraprake dhe si vlerësohen rast pas rasti.

Transparenca mbi koncensionet është e rëndësishme për të qenë të frytshme dhe me ndikim në ekonomi.

Koncensionet duhet të jenë transparente, për të mos abuzuar në kurriz të sektorit publik. Aferat e mundshme korruptive në rastin e një kontrate me efekte 10-20 apo deri në 35 vjet kanë pasoja më të rënda se sa korrupsioni në tendera apo financime në projekte afatshkurtëra.

Zyrtarët që japin koncensione apo vendosin për to janë Parlamenti, kryeministria, ministria e fushës dhe bashkitë, me të cilat duhet bërë shumë kujdes dhe transparencë.

Instituti vëren se autorët e studimeve të fizibilitetit për koncensione dhe zyrtarët që bëjnë pranimin e tyre duhet të përjashtohen nga mundësia e konfliktit të interesit.

Shoqëritë koncensionare shfrytëzojnë pasuri dhe shërbime publike,për afate disa dekada dhe Instituti Shqiptar i Shkencave po përpiqet që të nxitë transparencë më të madhe sipas modeleve më të mira perëndimore me buxhete të hapura dhe shpenzime të hapura.

Por ekonomitë e vendeve ish-socialiste si edhe Shqipëria ende nuk i kushtojnë vëmendje transparencës dhe llogaridhënies mbi shfrytëzimin e pasurive publike përmes kontratave koncensionare dhe as partneriteteve publik-privat.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG