Lidhje

Vazhdon operacioni antikanabis në Veri


Ka vazhduar për të dytën ditë radhazi operacioni masiv i policisë kundër sipërfaqeve të mbjella me cannabis sativa në zonën malore të Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës. Rreth 400 forca, të mbështetuara nga njësitë speciale “Renea” dhe dy helikopterë, kanë nisur kontrollet që prej orës 7 të mëngjesit të sotëm.

Operacioni anti-drogë në Dukagjin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Operacioni po zhvillohet në fshatrat Kasnec, Mgullë, Xhan, Pog dhe Kir të njësisë administrative Pult. Terreni është mjaft i vështirë, ndaj forcat e policisë, të dislokluara gjatë natës në fshatin Pog, janë detyruar të ecin në këmbë për disa orë, mes zonave të pyllëzuara dhe të thepisura, deri në vendin ku janë evidentuar parcelat e mbjella me cannabis sativa.

Deri në mesditë, ishin zbuluar dhe shkatërruar 90 parcela me 20879 bimë narkotike, por pa mundur të ndalohet ndonjë prej kultivuesve të drogës.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, policia shkatërroi me djegje 173 parcela me 32 676 bimë narkotike, që është edhe sasia më e madhe, e shkatërruar deri tani nga policia brenda një dite.

Gjatë kontrollit të territorit, policia zbuloi një arsenal armësh dhe municioni luftarak, mes tyre edhe armën që dyshohet se, një vit më parë, qëlloi një helikopter të policisë, i cili po transportonte forcat speciale “Renea”. Armatimi u gjet në brendësi të një shpelle, të përshtatur si vendstrehim, në afërsi të vendit nga ku, gjatë një operacioni të ngjashëm antidrogë, përsona të armatosur qëlluan në drejtim të forcave të policisë dhe të helikopterit.

Gjatë 25 viteve të fundit, pjesa më e madhe e banorëve të Dukagjinit, janë shpërngulur në drejtim të Shkodrës, në përpjekje për të gjetur kushte më të mira jetese. Policia dyshon se, disa prej këtyre banorëve, janë edhe kultivuesit e drogës në fshatrat e Dukagjinit.

XS
SM
MD
LG