Lidhje

Në kufirin Greqi-Maqedoni


Në zonën kufitare midis Greqisë dhe Maqedonisë ku presin nga disa mijë refugjatë nga Lindja e Mesme, autoritetet e dy vendeve lëshojnë brenda ditës një pjesë prej tyre, në grupe, brenda intervaleve të caktuara kohore. Pasi të kenë kaluar një kohë prej disa orësh në kamp dhe të kenë kryer procedurat e nevojshme, ata udhëtojnë me tren dhe me autobusë drejt Serbisë, që më pas të kalojnë në Hungari. Shumica e tyre dëshirojnë të vendosen në Gjermani. Refugjatët, të cilët kryesisht janë sirianë, flasin për peripeci të shumta gjatë rrugës së vështirë.

Korresponendeti ynë Isak Ramadani ishte në kampin pranë Gjevgjelisë dhe përgatiti këtë material.

Qindra refugjatë dhe emigrantë nga vendet e Londjes së Mesme për çdo ditë kalojnë kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë në kërkim të një jete më të mirë në shtetet e Evropës. Në këmbë për disa kilometra e ecin distancën nga njëri kamp tek tjetri. Kampi në Gjevgjeli mund të pranojë rreth pesqind njerëz. Temperaturat e ditës këtu gjatë kësaj periudhe kalojnë 40 gradë celsius. Pamjet e refugjatëve me fëmijë në krahë dhe në supe janë bërë përditshmëri. Shumica, të dërrmuar nga rruga e gjatë dhe për arsye të tjera nuk dëshirojnë të flasin para kamerave.

Hasani është nga Edlipi i Sirisë dhe për dy vitet e fundit ka qëndruar në Turqi, ku para katër muajsh është bashkuar me gruan dhe djalin. Për njëzet ditë ata janë në rrugë; dëshirojnë të shkojnë në Gjermani.

Hasani thotë se në Turqi kanë ngelur 15 ditë në pritje të një anieje për të kaluar në Greqi. Thotë se i kishin mashtruar:

Thotë se ishte detyruar të paguajë nga 1300 dollarë për një person ose katër mijë dollarë për veten gruan dhe djalin, për ta kaluar detin nga Truqia në Greqi. Thotë se në gomonen me të cilën udhëtuan ilegalisht ishin gjashtëdhjetë vetë. Tre herë ishte dashur të ndalin motorët.

“E di se në Hungari ëhtë mjaft vështirë që të kalohet kufiri. Por shpresoj se populli i atjeshëm do t’ju ndhmojë refugjatëve të kalojnë”, thotë ai. Vjehrri i tij ka arritur të kalojë në Hungari ilegalisht duke paguar 1500 dollarë.

Hasani, si të gjithë refugjatët dhe emigrantët e Lindjes së Mesme dëshirojnë të gjejnë paqe atje ku synojnë të gjejnë strehim. Ai thotë se do të dëshironte ta mësojë gjuhën gjermane. Ai është mësues i matematikës dhe ka punuar për një vit në një shkollë.

Nur, bashkëshortja e Hasanit, dëshiron një jetë të re në Gjermani me familjen e saj. Atje ndodhet tashmë babai i saj. Ajo është mësuese e arabishtes. Thotë se do të dëshironte të punonte me fëmijët në ndonjë shkollë në Gjermani.

Djali i tyre, Jamini pak mbi 2 vjeç, ka mësuar të thotë “Hapi kufijt, Hungari”.

Aleksanda Kraus, zëdhënëse e Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, thotë se nga katërqind, pesëqind refugjatë qëndrojnë brenda disa orësh në kamp. Presin të regjistrohen dhe presin trenin e radhës, ose autobusat. Natën e së enjtes këtu kanë kaluar pesë mijë njerëz.

Ajo thotë se në anën greke të kufirit ndoshta ka rreth pesë mijë njerëz që presin.

Zëdhënsja Kraus thotë se duket që numri po rritet nga dita në ditë, por se nuk e di nëse ky trend do të vazhdojë të rritet apo se është çështje e ditës dhe kulmi i fluksit.

Ajo thotë se policia po mban rendin në kamp dhe se këtë po e bën mirë. “Por, në aspektin humanitar gjithnjë ka hapsirë për përmirsëime. Unë do t’u buzëqeshja njerëzve dhe nuk do t’u jepja urdhëra”, thotë ajo, duke shtuar se kjo është mënyra e policisë për të kontrolluar turmën e njerëzve. “Shpresojmë se do t’i bëjmë policët të buzëqeshin para refugjateve herë-pas-here”, thotë zëdhënsja Kraus e UNHCR-së.

Zakonisht, nga Gjevgjelia për në Tabanoc në kufirin me Serbinë nisen tre trena në ditë dhe më shumë autobusë. Trenat janë të stërngarkuar, të vjetër dhe të ngadalshëm.

Dhe derisa zbrazet kampi, refugjatë të tjerë presin procedurat e zakonshme për të zënë vendin e atyre që sapo u larguan.

XS
SM
MD
LG