Lidhje

Nga mbetjet plastike në mobilje


Zgjerimi i shpejtë i teknologjisë së printerave 3D po krijon një problem të ri ekologjik – mbetjet e pluhurit të najlonit. Në përpjekje për të bërë diçka, një grup studentësh britanikë kanë zhvilluar një metodë për t’i kthyer ato në mobilje.


Një metodë e përhapur e të shtypurit 3D quhet “sintering selektive lazer”, ose SLS, që do të thotë përzierje e grimcave të pluhurit të najlonit ose metalit për të formuar një objekt të ngurtë. Por kjo mënyrë lë pas rreth 44 për qind mbetje.


Studentët në Kolegjin Mbretëror të Artit në Londër, Fabio Hendry dhe Sung-il Choi, kanë zhvilluar një metodë të thjeshtë për bashkimin egrimcave të pluhurit të najlonit duke i kthyer ato në objekte të ngurta.

Një teli prej nikel-kromi i jepet forma e dëshiruar. Pastaj vendoset në një enë dhe mbulohet me një përzierje pluhuri najloni dhe rëre të imët. Kur lidhet me burim energjie, siç është një bateri makine, përzierja mbështillet rreth telit.
Fabio Hendry shpjegon:


"Për shembull, kemi telin, hedhim në të pluhur të përzier, e nxehim për 20 minuta, dhe nga kjo përftojmë një objekt që është shumë vështirë të prodhohet në mënyrë tjetër."

Trashësia e strukturës së ngurtësuar varet nga koha që teli mbahet i lidhur me burimin e energjisë - zakonisht deri 30 minuta. Të dy studentët ekspozuan 12 stola artistikë të formave të ndryshme.

"Nuk kërkon gjë të madhe. Nuk përdor as pajisje të fuqishme. Është shumë lehtë dhe e thjeshtë për t’u bërë, gjithashtu shumë e qëndrueshme. Nuk kërkon as shumë energji"

Stolat janë paraqitur si projekt, për të treguar se si nga mbeturinat mund të prodhohen sende të ndryshme. Studentët Hendry dhe Choi shpresojnë që metoda e tyre, nëse përdoret në shkallë industriale, mund të zvogëlojë ndjeshëm sasinë e mbetjeve të pluhurit të najlonit.

XS
SM
MD
LG