Lidhje

Kongresi dhe marrëveshja me Iranin


Këtë javë, ligjëvënësit amerikanë do të kthehen në Uashington pas një pushimi një mujor. Gjatë ditëve të fundit u shtua numri i senatorëve që njoftuan qëndrimin e tyre në lidhje me marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin. Megjithatë, marrëveshja nuk ka fituar ende mbështetjen e duhur që do të parandalonte një rezolutë kundërshtuese në Kongres.

“Sinqerisht, nuk është kjo marrëveshja që shpresoja. Kam shqetësime serioze për shkak të mashtrimeve të mëparshme të Iranit.”

Si shumë demokratë, Senatori Chris Coons nuk është entuziast për marrëveshjen me Iranin. Por, si shumica e demokratëve, e mbështet atë.

“Nuk mund t’i besojmë Iranit. Por, kjo marrëveshje e bazuar në verifikimin, parandalimin dhe diplomacinë e fortë shumëpalëshe, na ofron mundësinë më të mirë për ta ndaluar Iranin që të krijojë një armë bërthamore.”

Gjatë ditëve të fundit, pesë senatorë të tjerë demokratë njoftuan mbështetjen, pavarësisht dyshimeve. Cory Booker i Nju Xhersit tha se “është më mirë të mbështesim një marrëveshje me probleme, pasi alterniva tjetër është shumë më e keqe”. Mark Warner i Virxhinias tha se “megjithëse vendosa ta mbështes marrëveshjen, nuk jam i kënaqur me të”.

Deri javës që shkoi, demokrati Chuck Schumer i Nju Jorkut, njoftoi se është kundër. Atij iu bashkuan senatorët Ben Cardin i Merilendit dhe Robert Menendez i Nju Xhersit.

“E dimë se pavarësisht pretendimeve të Iranit për një program bërthamor me qëllime paqësore, ata kanë shkelur normat ndërkombëtare dhe duke mashtruar, avancuan programin e tyre duke u gjendur në prag të shndërrimit në një fuqi bërthamore.”

Për shkak të kundërshtimit unanim të republikanëve, të gjithë po presin që senatorët e mbetur demokratë të njoftojnë qëndrimin e tyre. Është krijuar tashmë mbështetja e duhur për të ruajtur një veto të premtuar nga Presidenti Obama nëse Kongresi e kundërshton marrëveshjen. Senatorët e pavendosur do të përcaktojnë nëse mund të bllokohet një rezolutë kundërshtuese në Senat.

“Në këtë rast, rezoluta kundërshtuese nuk do të jetë e nevojshme as të arrijë deri tek tavolina e presidentit, dhe ai nuk do të ketë më nevojë të përdorë veton.”

Një votim fillestar në Dhomën e Përfaqësuesve mund të mbahet që këtë javë.

XS
SM
MD
LG