Lidhje

Rrugëtimi i emigratëve drejt Gjermanisë


Franca dhe Britania ranë dakord të hënën të pranojnë mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme, por shifrat për të cilat ata kanë rënë dakord janë tepër pak krahasuar me masën e emigrantëve që po vërshojnë në Gjermani për një jetë të re.

Presidenti francez François Hollande tha se vendi i tij do të pranojë 24.000 refugjatë gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa kryeministri britanik David Cameron tha se 20,000 refugjatë sirianë nga kampet në Turqi, Jordani dhe Siri do të vendosen në Britani gjatë pesë vjetëve. Zoti Cameron tha se fëmijëve dhe jetimëve të rrezikuar do t'u jepet përparësi.

Evropa po përballet me krizën më të madhe të emigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që Hungaria është në krye të vendeve që po përpiqen të bllokojnë kalimin e refugjatëve në Gjermani dhe në shtetet skandinave.

Megjithatë, mijëra refugjatë kanë vërshuar në Gjermani, ku autoritetet dhe banorët i kanë mirëpritur me ushqime, ujë dhe lodra për fëmijët.

Gjermania thotë se 800,000 refugjatë që përpiqen për t'i shpëtuar luftës dhe varfërisë mund të vendosen në vend deri në fund të vitit.

"Gjermania është bërë një vend që shumë njerëz jashtë e lidhin me shpresën,” ka deklaruar kancelarja Angela Merkel.

RRUGËTIMI DREJT GJERMANISË

Emigrantë të shumtë hipën sot në një tren në stacionin Keleti të Hungarisë dhe u nisën për në Gjermani nëpërmjet Vjenës. Shumë prej tyre ishin bllokuar prej disa ditësh në Budapest. Gjatë fundjavës 20,000 emigrantë hynë në Gjermani, pasi Berlini dhe Vjena vendosën të hapin kufijtë për ta.

Po shtohet trysnia ndaj Kancelares gjermane Angela Merkel, politika e së cilës për t’u hapur dyert emigrantëve e ka bërë vendin një magnet për njerëzit që ikin nga lufta civile në Siri.

Emigrantët dhe refugjatët sirianë, shumë prej tyre me fëmijë, buzëqeshnin dhe bënin shenja falenderimi ndërsa hipnin në trenin që do t’i çonte në Gjermani.

Dje, në stacionin e Vjenës, një tren i mbushur me refugjatë, u prit me duartrokitje.

Kjo mikpritje është ngushëllimi më i mirë për Abdulmalik al Khaledin, student mjekësie që mundi të largohej nga Siria por qëndroi i bllokuar për disa ditë në Hungari, ku ai nuk u ndie i mirëseaerdhur.Abdulmalik al Khaled është refugjat nga Siria

“Gjermania mund të ishte vend më i mirë për mua për të përfunduar studimet. Por tani po më duket se këtu është më mirë. Shihni, të gjithë janë të mirëseardhur në këtë vend.”

Një banor gjerman, me emrin Lukas, i cili udhëtonte nga stacioni Keleti, tha se u dëshironte atyre të mirën

“Jam shumë i gëzuar që ata janë të lirë për të udhëtojnë dhe u uroj atyre gjithë të mirat", tha Lukas.

Në tren ishte edhe australiania Jessie Jane, e cila po bënte një turne nëpër Evropë:

"I kam parë ata të ecnin përgjatë shinave, sepse kam qenë duke bërë një turne nëpër Europë. Më ka ardhur vërtet keq kur i kam parë të flinin në stacionet hekurudhore. U kam dhënë atyre ç’të mundja, para, cigare dhe gjëra të tjera. Ka qenë gjithçka kam mundur të bëj.”

Zyrtarët gjermanë dhe austriakë shfaqën habi nga numri i madh i emigrantëve dhe refugjatëve që vazhdonin të vinin nga Hungaria.

Kancelari austriak Werner Faymann tha dje se pret që gjendja të normalizohet pas masave të emergjencës që po i lejojnë refugjatët të kalojnë kufirin nga Hungaria.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha sot në Berlin se kriza e imigracionit është një problem për të gjithë Evropën, dhe jo një çështje që duhet t’i lihet vetëm Gjermanisë.

"Ky nuk është problem i Gjermanisë, apo një problem për vende të tjera të veçanta, por është problem për të gjithë Evropën, dhe jo vetëm për Bashkimin Europian. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me Gjermaninë, por edhe me vendet e tjera të BE-së," tha zoti Vuçiç.

Mijëra emigrantë kalojnë çdo ditë kufijtë e Serbisë, duke përshkuar Maqedoninë nga Greqia para se të hyjnë në Hungari, vend anëtar i BE-së.

"Edhe pse Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ajo është prekur rëndë nga fakti se refugjatët lënë Bashkimin Evropian kur largohen nga Greqia dhe pastaj rihyjnë në kufirin Serbi-Hungari," tha zonja Merkel.

Ajo tha se duke e ditur se sa shumë probleme ka një vend si Serbia, ne duhet të diskutojmë në frymën e miqësisë se si mund të veprojmë së bashku më tej.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG