Lidhje

Ligjvënësit amerikanë mbi refugjatët sirianë


Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë planin e administratës së Presidentit Obama për të pranuar dhjetë mijë refugjatë sirianë në Shtetet e Bashkuara. Korrepondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se mundësia e infiltrimit të terroristëve në mesin e refugjatëve është një shqetësim i madh për ligjvënësit amerikanë.

Gjendja e vështirë e refugjatëve sirianë ka tërhequr vëmendjen e botës, duke përfshirë edhe atë të kongresit amerikan.

"Këta refugjatë po ikin nga tortura, vrasjet, dhe gjenocidi", thotë senatori republikan John Mccain.

Miliona sirianë janë të zhvendosur dhe Shtetet e Bashkuara kanë në plan të pranojnë dhjetë mijë prej tyre. Por, edhe pranimi i kësaj pjese të vogël është duke ngritur shqetësime.

"Në qoftë se është e mundur të verifikohet historia e këtyre njerëzve, unë do të mbështesja pranimin e tyre. Ne nuk e dimë se kush janë ata".

Ligjvënësi McCaul është kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare.

"Nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, unë i marr seriozisht fjalët e ISIS-it rreth shfrytëzimit të krizës së refugjatëve për të depërtuar në Perëndim. Kjo më shqetëson mua. Ne duhet të merremi me këtë krizë. Por kjo mund të jetë një politikë e pamatur dhe e rrezikshme".

Administrata Presidentit Obama thotë se historia e refugjatëve sirianë do të kontrollohet plotësisht.

Josh Earnest, Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë

"Ne nuk do të zgjedhim rrugën më të shkurtër kur është fjala për sigurinë tonë. Pra, do të ketë një përpjekje për të përshpejtuar procesin e lëvizjes së njerëzve, por kjo nuk do të bëhet në kurriz të masave të fuqishme të sigurisë që do të mbeten në vend".

Por, i dërguari i posaçëm i presidentit Obama në luftën kundër Shtetit Islamik e pranon se ka një rrezik real.

Gjenerali John Allen, zyrtar i anti-terrorizmit.

"Unë mendoj se ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm se Shteti Islamik mund të bëjë përpjekje për të futur agjentët e tij në grupet e refugjatëve".

Ndërkohë, ata që mbështesin ardhjen e refugjatëve thonë se pranimi i dhjetë mijë refugjatëve sirianë është një hap në drejtimin e duhur, por pranimi i një grupi kaq të vogël njerëzish nuk do ta zgjidhë krizën e refugjatëve.

XS
SM
MD
LG