Lidhje

Dita e parë e shkollës në Shqipëri


Në Shqipëri nisi sot viti i ri shkollor për afro 500 mijë fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme. Qeveria bëri të ditur investimet e kryera në objektet shkollore, librat e rinj dhe teknologjitë e reja. Opozita shprehu shqetësim për politizimin e mësuesve dhe emigrimin e shumë fëmijëve shqiptarë nga varfëria, duke braktisur mësimin.

​Mbi 500 mijë fëmijë e të rinj shqiptarë nisën sot vitin e ri shkollor, midis tyre rreth 30 mijë nisin shkollën nga klasa e parë.

Në kryeqytet mësimi do të vazhdojë të zhvillohet me turne për shkak të numrit të madh të fëmijëve.

Këtë vit u ndërtuan 18 shkolla të reja, ndërsa janë ndërtuar në të gjithë vendin 120 klasa inteligjente në shkollat e mesme, ku zhvillohen 6 programe digjitale lënda e matematikës dhe shkenca të tjera.

Librat e rinj për 76 mijë nxënësve këtë vit shkollor janë marrë nga institucionet arsimore më të mira europiane “Pearson", "Cambridge" dhe "Oxford".

Ndërkohë u hoqën nga qarkullimi disa qindra tituj librash që u gjetën me gabime në vitet e kaluara. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vizituan gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, e klasifikuar në vite si një nga shkollat më të mira të vendit.
Por opozita nga ana e saj deklaroi se gjendja e arsimit është e rëndë, shumë fëmijë nuk blejnë dot librat, mijëra të tjerë kanë shkuar në kampet e refugjatëve në Europë.

Sipas Partisë Demokratike, investimet janë të pamjaftueshme, mungojnë labiratorë dhe klasa të reja.

Partia Demokratike deklaroi se mësuesit po kontrollohen mbi përkatësitë politike para se të kryhen shkarkime të reja masive, që do të happen vende pune për militantët socialistë.

Qeveria po kërkon informacion mbi prirjet politike në të gjithë shkollat, ndërsa sot, sipas saj, qindra mësues, u transferuar me forcë nga shkollat, për t'u zevendësuar me militantë e klientelë socialiste.

XS
SM
MD
LG