Lidhje

Emigrantët në kufirin e mbyllur me Hungarinë, gjendja e paqartë


Serbia tha se nuk është në gjendje të përballojë numrin e madh të emigrantëve të grumbulluar në kufirin e saj me Hungarinë, tani që zyrtarët hungarezë kanë mbyllur plotësisht kufirin, si pjesë e masave ndaj emigrantëve.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tha të martën se Serbia nuk është "qendër grumbullimi."

Ai tha se është e papranueshme që emigrantët të kthehen në Serbi, ndërkohë që të tjerë vazhdojnë të hyjnë në vend nga Greqia dhe Maqedonia.

Të martën në mëngjes, zyrtarët hungarezë mbyllën dy kalime kufitare zyrtare për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme në anën serbe, siç u shprehën ata. Hungaria gjithashtu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në dy distrikte jugore si pjesë e masave ndaj emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se me masat e reja të sigurisë që hynë në fuqi të martën, administrata e tij do të tregohet e rreptë ndaj atyre që e kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.

Emigrantët duan të kalojnë

Të martën, qindra emigrantë u grumbulluan pranë barrierës së re kufitare duke kërkuar të lejoheshin të kalonin kufirin. Ata thërrisnin "hapni kufirin,” ndërsa policia qëndronte në anën tjetër.

Vullnetarët vendës që shpërndanin ushqime dhe furnizime thanë se të hënën rreth 200 njerëz arritën të kalojnë.

Të hënën në mbrëmje, tendat që vullnetarët kishin ngritur pranë gardhit, të cilat deri pak ditë më parë, ishin plot me emigrantë që pushonin pas një udhëtimi të gjatë, tani ishin boshatisur.

Vetëm një kilometër më larg, në pikën e kalimit zyrtar nga Serbia në Hungari, policia kishte ngritur një barrierë për të mos lejuar gazetarët ose vullnetarët, ndërsa emigrantët që mbërrinin në kufi largoheshin menjëherë me autobusë nga policia për në stacionin hekurudhor Röszke.

Në stacion, njerëzit qëndronin ulur me orë të tëra, ose brenda nëpër autobusë, ose pranë shinave, duke pritur ardhjen e trenit tjetër. Fëmijët e lodhur dhe të përgjumur qanin, ndërsa vullnetarët shpërndanin ushqim dhe ujë.

Paqartësi mes emigrantëve

Asnjërit prej emigrantëve nuk i kërkohej të tregonte dokumente ose të regjistrohej në kufirin me Hungarinë. Shumë prej tyre nuk e dinin se ku do t’i çonin. Shumica nuk duan të aplikojnë për azil në Hungari.

Nga dritarja e një autobusi, Ali Hatim nga Iraku thotë se askush në kufi nuk i kërkoi dokumentet dhe ai shpresonte se hungarezët nuk do ta regjistronin. Ai dukej i bindur se nëse do ta detyronin të regjistrohej, atëherë për të nuk do të kishte zgjidhje.

Gjendja në kufi dukej shumë konfuze dhe kjo vinte kryesisht nga pamundësia për të komunikuar. Të ardhurit nuk flasin hungarisht dhe policia i udhëzon ata me gjeste dhe fjalë pasi as ajo nuk di arabisht.

Disa emigrantë të cilët flisnin anglisht thoshin se treni do t’i çonte në fshatin hungarez kufitar Hegyeshalom, ku ata mund të ecnin dhe të hynin në Austri, pastaj të merrnin trenin për në Vjenë.

Një numër rekord prej 9,380 njerëzish hynë në Hungari të hënën, njoftuan zyrtarët hungarezë. Qindra të tjerë e kaluan natën në anën serbe, duke pritur hapjen e kufirit.

Arrestime

Zyrtarët njoftuan të martën se policia kishte ndaluar të paktën 60 persona në bazë të masave të reja të sigurisë. Këto masa parashikojnë dënime me deri tre vjet burg për kalime të paligjshme të kufirit.

Ligji hyri në fuqi një ditë pasi ministrat e brendshëm evropianë nuk arritën të bien dakord mbi një plan për sistemimin e 120,000 emigrantëve në të gjithë Bashkimin Evropian.

Shumica e ministrave e kanë mbështetur planin për kuota të detyrueshme, por shumë prej kundërshtimeve erdhën nga vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë. Kufijtë e tyre janë ndër ndalesat e para për emigrantët që përpiqen të shkojnë në Evropën Perëndimore.

Ministrat ranë dakord mbi një plan të mëhershëm për sistemimin e 40.000 emigrantëve që tani ndodhen në Greqi dhe Itali.

Disa udhëheqës evropianë fajësojnë Gjermaninë për mirëpritjen e hapur që u bëri emigrantëve. Gjermania po shfaq nervozizëm gjithnjë e më të madh ndaj disa vendeve anëtare të BE-së që nuk janë të gatshme për të ndarë barrën.

Më shumë se 430,000 emigrantë që kërkojnë një jetë më të mirë, duke përfshirë refugjatë nga Siria dhe Iraku, kanë kaluar në Evropë këtë vit. Vëzhguesit e çështjeve të emigracionit thonë se rreth 3,000 prej tyre kanë gjetur vdekjen gjatë këtyre përpjekjeve.

E ardhmja e paqartë

Pritja e gjatë në kufirin hungarez, kërcënimet për burgim ose dëbimi i mundshëm për në Serbi mund të detyrojë shumë njerëz të kërkojnë rrugë të tjera.

Ata mund të shkojnë drejt Kroacisë në perëndim ose drejt lindjes në Rumani, që të dyja vende anëtare të BE-së sikurse Hungaria, por që nuk bëjnë pjesë në zonën Shengen të udhëtimit pa kufij.

Komisioneri Evropian për Migrimin, Dimitris Avramopulos shprehu shqetësim për ngërçin e tanishëm në Evropë, e cila nuk po arrin të gjejë gjuhë të përbashkët për risistemimin e të ardhurve.

"Prisja më shumë mbështetje në emër të të gjitha vendeve anëtare. Shumica u tregua e gatshme dhe ndihmoi. Kemi rezultate pozitive. Por nuk jam aspak i kënaqur kur shikoj që disa vende të tjera mendojnë në mënyrë nacionaliste dhe jo evropiane.”

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, tha:

"Një Evropë që mirëpret sirianët ndihmon për mposhtjen e Shtetit Islamik. Një Evropë që refuzon sirianët, veçanërisht për shkak se ata janë myslimanë, ndihmon propagandën e Shtetit Islamik. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe kjo është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë tonë globale në Evropë."

Kancelarët e Gjermanisë dhe Austrisë bënë thirrje sot në Berlin për mbajtjen e një takimi të veçantë të nivelit të lartë të BE-së për çështjen e vërshimit të emigrantëve në Evropë.

"Ky problem mund të zgjidhet vetëm nga Bashkimi Evropian në tërësinë e tij. Kjo është përgjegjësi e krejt BE-së dhe prandaj ne ramë dakord për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë të BE-së javën tjetër,” tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

"Si mund t’i ndihmojmë ne më mirë vendet nga vijnë refugjatët? Këtu është e nevojshme një përpjekje e madhe e BE-së. Së dyti, si mund të punojmë më nga afër me Turqinë?"

Sot, njëzet e dy emigrantë u mbytën dhe 200 të tjerë u shpëtuan, pas përmbysjes së një varke në detin Egje, përballë vendpushimit turk të Bodrumit. Varka me sa duket ishte nisur drejt Greqisë.

XS
SM
MD
LG