Lidhje

Nesër grekët votojnë sërish


Grekët do të votojnë nesër në zgjedhjet e treta të përgjithshme brenda një periudhe tetë mujore, gjatë së cilës u mbajt një referendum popullor dhe u përjetua edhe mbyllja e sistemit të tyre bankar, si dhe u imponuan kufizime mbi kapitalin dhe tërheqjet në para të thata.

Fituesi që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare do të duhet të zbatojë reforma të thella ekonomike për të përfituar një paketë shpëtimi financiar prej 98 miliardë dollarësh për të cilën u ra dakort në muajin gusht, krahas një rikapitalizimi të bankave greke.

Të dyja partitë kryesore, Syriza dhe Demokracia e Re, si dhe shumica e partive të vogla mbështesin paketën e shpëtimit, rritjen e taksave dhe reformat e kërkuara nga ndërkombëtarët, pavarësisht disa kundërshtimeve në lidhje me pensionet dhe reformimin e të drejtave të punonjësve.

Sondazhe të botuara dje tregojnë se partia e majtë radikale e ish-kryeministrit Alexis Tsipras, Syriza, dhe partia e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, e kryesuar nga Vangelis Meimarakis, do të fitojnë shumicën e votave.

Nëse sondazhi rezulton i saktë, sapo të përfundojë votimi, do të duhet të fillojnë menjëherë që ditën e hënë bisedimet për krijimin e një koalicioni.

XS
SM
MD
LG