Lidhje

Fillon vizita e Papa Françeskut


Pope Francis in Cuba

Pope Francis in Cuba

Papa Françesku fillon sot një udhëtim 10-ditor në Kubë dhe në Shtetet e Bashkuara, dy vende ish-kundërshtare të ashpra, të cilat nën orientimin e Papës, i dhanë fund rishtazi një armiqësie që zgjati dekada të tëra që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Papa u nis nga Roma sot në mëngjes dhe mbërrin në Kubë në orët e pasdites. Ai do të mirëpritet sot në aeroport nga Presidenti kuban Raul Castro dhe do të drejtojë nesër një meshë në Sheshin e Revolucionit, në zemër të kryeqytetit Havanë.

Udhëheqësi kuban është deklaruar kaq i impresionuar prej Papës, i cili ka lindur në Argjentinë, sa ka premtuar se do të rikthehet në gjirin e Kishës Katolike, pavarësisht faktit se Kuba është zyrtarisht ateiste. Papa do të vizitojë edhe dy qytete të tjera kubane, përpara se të niset drejt Uashingtonit.

Kubanët do ta presin Papën si një hero, të cilit i atribuohet roli për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA – Kubë. Qeveria kubane ka zhvilluar një fushatë për t’i nxitur njerëzit të dalin në rrugët e Havanës. Qeveritarët u kanë ofruar punonjësve pagën e një dite pune, ushqime dhe transport, që të dalin përgjatë rrugës që do të ndjekë Papa nga aeroporti deri në selinë e ambasadorit të Vatikanit. Ka njoftime se po rekrutohen edhe studentët e universiteteve.

Papa Françesku dhe zyrtarët e Vatikanit lehtësuan zhvillimin e bisedimeve disa mujore ndërmjet Havanës dhe Uashingtonit, të cilat ndodhën gjatë vitit 2014 dhe u kurorëzuan me njoftimin historik në muajin dhjetor të Presidentëve Castro dhe Obama për vendimin e përbashkët për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Tashmë, në Uashington dhe Havanë janë hapur ambasadat e të dy palëve.

XS
SM
MD
LG