Lidhje

Papunësia mes të rinjve


Gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale të Shqipërisë po e vuajnë më së shumti të rinjtë e saj, të cilët zënë pjesën dërrmuese të popullatës.

Sipas një studimi mbi të rinjtë shqiptarë, i sapo-publikuar nga fondacioni Fridrih Ebert, papunësia rinore është ndër më të lartat në Ballkan dhe sistemi i edukimit nuk ofron alternativa për të ardhmen e tyre.

Studimi zbuloi se gjysma e të rinjve shqiptarë janë të papunë, por për paradoks, investitorët shqiptarë dhe të huaj janë në kërkim të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Të rinjtë vetë pohojnë se nuk kanë shpresë se gjërat do të bëhen më mirë; ata janë të shqetësuar për shkollimin e tyre akademik, por parapëlqejnë të studiojnë jashtë vendit për shkak të korrupsionit me provimet.

Pjesa më e madhe e të rinjve e dinë se duhet të presin gjatë një vend pune pas mbarimit të studimeve.

Aktualisht në Shqipëri punon vetëm një ndër pesë të rinj dhe vetëm 30 përqind e tyre janë punësuar sipas profilit të studimeve apo profesionit.

Organizata humanitare World Vision organizoi një konferencë me të rinjtë e fshatrave dhe periferitë e 7 qyteteve të mëdha, ku ata morën këshilla praktike nga drejtues të bizneseve si ta kërkojnë punën dhe si të nisin profesione apo idetë e tyre për biznes dhe vetëpunësim.

Të rinjtë treguan gjatë konferencës se si kanë marrë pjesë ose kanë udhëhequr nisma të ndryshme, duke sjellë ndryshim në zonën ku banojnë. World Vision bashkëpunon me rreth 2 000 të rinj në Shqipëri për t’i bërë të aftë të përmirësojnë jetën e tyre dhe të komunitetit ku banojnë.

Sipas studimeve nga organizata dhe sociologë, të rinjtë pohojnë se papunësia dhe mungesa e perspektivës është problemi kryesor i tyre.

Ata pohojnë se arsimi është më pak i rëndësishëm se njohjet politike, ndaj edhe prirja për emigrim është e lartë.

Në studimin e fondacionit Fridrih Erbert theksohet që të rinjtë deklarojnë shpresa të vakëta për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme, por më shumë shohin pasigurinë e vazhdueshme të një tranzicioni të gjatë e të lodhshëm, dhe kanë një besim të pakët tek institucionet shtetërore.

XS
SM
MD
LG