Lidhje

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e opozitës për Gjykatën e Posaçme


Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e partive opozitare për vlerësimin e amendamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës së Posaçme duke u shprehur se ndryshimet janë në pajtim me Kushtetutën dhe procedurat.

Opozita ishte ankuar se parlamenti i ka miratuar amendamentet kushtetuese pa respektuar procedurat e duhura ligjore.

Nënjoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “nuk ka pasur nevojë që amendamenti i propozuar të referohet për herë të dytë, pasi ai ishte vlerësuar njëherë dhe përmbajtja e tij nuk ka pësuar ndonjë ndryshim apo modifikim”.

Në fillim të muajit gusht, parlamenti i Kosovës, miratoi me 82 vota pro dhe 5 vota kundër ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Posaçme për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u shoqërua me debate të ashpra dhe thirrje të opozitës kundër kësaj gjykate.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë në heqjen e reve të zeza mbi Kosovën.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime lufte. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me krimet e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 - 1999.

Miratimi i gjykatës hap rrugën për fillimin e negociatave ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Holandës ku pritet të jetë selia e gjykatës, e cila do të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës, por do të drejtohet në tërësi nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, David Schwendiman, u emërua në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pasuar në këtë post prokurorin amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG