Lidhje

Mogherini, thirrje për unitet në BE përballë krizës së refugjatëve


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini po i bën thirrje bllokut me 28 anëtarë të ndalë grindjet lidhur me mënyrën si do t’i sistemojë mijëra azilkërkues që janë larguar nga Siria dhe vende të tjera në Lindjen e Mesme.

“Uniteti ynë i brendshëm ndikon tek veprimet tona ndërkombëtare,” tha ajo para gazetarëve në kryeqytetin lituanez Vilnius.

Ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë të Bashkimit Evropian zhvillojnë të mërkurën një takim për të diskutuar masat në përgjigje të valës më të madhe të imigrantëve që është dyndur në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz shprehu shqetësimin se takimi mund të përfundojë me mosmarrëveshje. Ai u takua sot me Presidentin francez Francois Holland në përpjekje për të mos lejuar “thellimin e mëtejshëm të hendekut ekzistues” mes vendeve të BE-së.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të rrisin deri në 100 mijë në vit numrin e refugjatëve që do të pranojnë dhe se Uashingtoni do të shqyrtojë rrugët për ta rritur më tej këtë kufi në vitet e ardhshme. Ndërkohë, zyrtarët evropianë po nxitojnë për t’i dhënë drejtim krizës së emigrantëve që ka sjellë qindra mijëra njerëz në kufijtë e tyre. Disa vende si Gjermania vazhdojnë të ngulin këmbë për të përcaktuar kuota që do të siguronte një shpërndarje më të drejtë të barrës së krizës.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se administrata e presidentit Obama do të rrisë numrin e refugjatëve që do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara deri në 100 mijë në vit në vitin 2017, ndërkohë që Evropa përballet me fluksin më të madh të migrantëve që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. John Kerry, Sekretar i Shtetit, SHBA

"Ky hap që po njoftoj sot, besoj se është në përputhje me traditën më të mirë të Amerikës si një tokë e shansit të dytë dhe si fener shprese. Kjo do të shoqërohet me kontribute financiare shtesë jo vetëm nga qeveria, por edhe nga populli amerikan. Këto do të konkretizohen më tej në ditët e ardhshme.”

Sipas planit të ri, kufiri i SHBA për vizat e refugjatëve, që aktualisht arrin në 70 mijë në vit, do të arrijë në 85 mijë në vitin 2016 dhe më pas në 100 mijë. Zoti Kerry tha gjithashtu se Uashingtoni do të shqyrtojë mënyrat për të rritur kufirin përtej tavanit 100 mijë në vitet e mëpasme.

Ministri i Jashtëm i Polonisë Grzegorz Schetyna thotë se Evropa ka nevojë për një plan të përbashkët për të përballur krizën e refugjatëve, por jo një plan që të imponojë kuota për secilin vend, me shifra se sa njerëz duhet të pranojë.

Në një shkrim të botuar sot në gazetën Politiko Europe, zoti Schetyna thotë se përparësia numër një për Bashkimin Evropian është mbyllja e kufijve, dhe se BE-ja duhet të ngrejë qendra të pritjes për të identifikuar ata që janë refugjatë dhe ata që janë emigrantë ekonomikë.

Zoti Schetyna thotë gjithashtu se Polonia nuk është kundër pranimit të refugjatëve, por propozimi që vendet e BE-së të ndajnë mes tyre 120,000 njerëz nuk do ta zgjidhte problemin.

Ministrat e brendshëm të BE-së do të takohen nesër për të diskutuar mbi këto plane, ndërsa të mërkurën Bashkimi Evropian do të mbajë një samit të posaçëm për këtë qëllim.

Në prag të takimit, Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere mori në mbrojtje propozimin e tij për vendosjen e shifrave tavan lidhur me numrin e emigrantëve që mund të pranojë Evropa. Ai i bëri komentet në kushtet e kritikave të ashpra nga partneri i koalicionit qeveritar dhe nga opozita.Thomas de Maiziere, Ministër i Brendshëm i Gjermanisë

"Ne nuk mund të pranojmë të gjithë emigrantët nga e gjithë bota, as ata që mendojnë se e ardhmja e tyre ekonomike është në Europë. Kjo është arsyeja pse unë po propozoj që ne të biem dakord mbi kuotat në Evropë, mbi kuota të gjera. Pra, që të pranojmë emigrantë nga rajonet e krizës në Evropë, pa trafikantët që fitojnë para, duke e bërë këtë diçka të ligjshme, si dhe për të ndihmuar në shpërndarjen e tyre në Evropë."

Ndërkohë, sot në mëngjes, 50 autobusë që transportonin rreth 2,500 emigrantë mbërritën në kufirin e Serbisë me Kroacinë.

Pasi zbritën pranë qytetit Sid, njerëzit të cilët vinin nga një qendër pritjeje e Preshevës, vazhduan udhëtimin e tyre në këmbë nëpër fusha para se të mbërrinin në pikëkalimin kufitar midis Sidit dhe qytetit kroat Tovarnik.

Policia kroate tha se rreth 27 mijë emigrantë kanë hyrë në vend që nga 16 shtatori, një ditë pasi Hungaria mbylli kufirin e saj me Serbinë.

XS
SM
MD
LG