Lidhje

Papa dhe politika amerikane


Papa Françesku do të jetë udhëheqësi i parë i Kishës Katolike që do të mbajë një fjalim gjatë një seance të përbashkët të Kongresit amerikan më 24 shtator. Ligjvënësit amerikanë po përgatiten për të dëgjuar komentet e Atit të Shenjtë, i njohur si“Papa i të varfërve”, i cili njihet se thotë atë çka mendon dhe se sfidon të pasurit dhe të fuqishmit.

Në Kongresin amerikan, padurimi ka arritur temperatura të larta ndërkohë që pritet fjalimi i Papa Françeskut gjatë një seance të zgjeruar. Më i ekzaltuar nga të gjithë është personi që e ftoi, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, i cili është një katolik i devotshëm. Në një video të posaçme, zoti Boehner tha se ligjvënësit janë të interesuar për atë që ka për të thënë Papa.

“Është mënyra se si ai u afrohet të varfërve. Ka dhe disa pikëpamje që ngjallin polemika, por ai është Papa!”

Por, disa analistë thonë se këto pikëpamje mund ta bëjnë zotin Boehner të pendohet për ftesën që bëri. Papa Françesku ka folur haptazi për rreziqet që i kanosen planetit tonë nga padrejtësitë ekonomike dhe ndryshimi klimatik, si dhe ka mirëpritur marrëveshjen bërthamore me Iranin. Pikëpamjet e Papës për këto çështje janë të afërta me ato të Presidentit Obama. Prifti analist Thomas Reese shpjegon.

“Kur ai të thotë në Kongres se p.sh. duhen mirëpritur emigrantët dhe refugjatët, ose se duhet mbrojtur mjedisi, atëherë demokratët do të duartrokasin me zjarr. Po republikanët çdo bëjnë, do rrinë duarkryq? Nëse duartrokasin do mërzisin konservatorët.”

Një ligjvënës republikan, Paul Gosar, tha se do ta bojkotojë fjalimin për shkak të përqëndrimit të Papës tek tematika e ndryshimeve klimatike.

Nga demokratët, përfaqësuesi Luis Guterrez, vuri në dukje kontrastin ndërmjet përkushtimit të Papa Françeskut ndaj emigrantëve dhe retorikës së ashpër anti-emigracion të kandidatit republikan Donald Trump.

“Papa Françesku është e kundërta e zotit Trump; është antidota ndaj këtij helmi.”

Papa mund të thotë gjëra të tjera të pakëndshme edhe për demokratët, si për martesën e homoseksualëve apo abortin. Zoti Reese shpreson që Papa t’i japë këtë mesazh Kongresit:

“Shpresoj që t’u bëjë thirrje të lënë mënjanë dasitë partiake dhe se është koha të bashkohen për të zgjidhur problemet e vendit dhe të botës. Këtë mesazh do ta duartrokasë i gjithë populli amerikan.”

Ndoshta do të duhet vizita e Papës që anëtarët e Kongresit të ndërpresin luftën e brendshme dhe të punojnë së bashku.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG