Lidhje

Presidenti kinez në Uashington


Chinese President Xi Jinping smiles as he concludes a visit to Lincoln High School, Wednesday, Sept. 23, 2015.

Chinese President Xi Jinping smiles as he concludes a visit to Lincoln High School, Wednesday, Sept. 23, 2015.

Presidenti kinez Xi Jinping vjen sot (të enjten) në Uashington për bisedime me presidentin Barak Obama për çështje të mprehta, përfshi sulmet kibernetike, të drejtat e njeriut dhe ekonominë.

Presidenti Xi mbërriti në Shtetet e Bashkuara të martën. Dy ditët e para të vizitës së tij, ai u përqendrua kryesisht në rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zoti Xi u takua të mërkurën me udhëheqësit e lartë të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike amerikane, duke përfshirë Amazon, Apple, Microsoft, Boeing, dhe Facebook.

Udhëheqësi kinez i siguroi ata se është ai është i angazhuar për përmirësimin e të drejtave të pronësisë intelektuale për t’ua bërë më të lehtë kompanive të huaja të bëjnë biznes në Kinë.

"Ne jemi duke punuar për të krijuar një sistem të ri, të hapur ekonomik, të miratojmë reformën e menaxhimit të investimeve të huaja, dhe të zvogëlojmë në masë kufizimet mbi investimet e huaja", u tha zoti Xi drejtuesve, para se të vizitonte mjediset e kompanisë Microsoft dhe një fabrikë të kompanisë Boeing.

Drejtuesit e Boeing-ut dhe zoti Xi njoftuan me këtë rast se kompanitë kineze kanë rënë dakord të blejnë 300 avionë nga kompania amerikane me një çmim prej rreth 38 miliardë dollarësh. Marrëveshja bën thirrje gjithashtu që gjigandi amerikan i avionëve të ndërtojë një fabrikë në Kinë.

Sulmet kibernetike

Drejtues amerikanë të biznesit janë duke kërkuar garanci personale nga zoti Xi që kompanitë e tyre do të trajtohen në mënyrë të drejtë në Kinë, dhe se Pekini do të pakësojë vjedhjen e sekreteve tregtare, siç akuzohet Pekini se bën përmes sulmeve kibernetike, që u ka kushtuar kompanive amerikane miliarda dollarë vitet e fundit .

Në një fjalim të rëndësishëm për politikat të martën, zoti Xi tha se Kina ishte e hapur për më shumë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara në parandalimin e sulmeve kibernetike. Ai gjithashtu përsëriti deklaratën e zakonshme të qeverisë së tij se Kina është viktimë dhe asnjëherë autor i sulmeve të tilla.

Presidenti Obama, i cili thotë se po shqyrton mundësisnë e sanksioneve kundër Kinës në përgjigje të këtyre sulmeve, ka premtuar për t’i bërë sulmet kibernetike një nga temat kryesore në rendin e ditës, kur ai të takohet me homologun e tij kinez.

Të dy udhëheqësit do të kenë të enjten në mbrëmje një darkë private, përpara një ceremonie publike mikpritëse të premten në Shtëpinë e Bardhë. Vizita do të kulmojë më vonë të premten me një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, një nder I rezervuar zakonisht për aleatët dhe partnerët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

Deti i Kinës Jugore

Një fushë tjetër e mosmarrëveshjeve që pritet të diskutohet është kërkesa e debatueshme territoriale e Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Më shqetësuese janë përpjekjet për ndërtimin nga Kina të një ishulli artificial në zinxhirin e ishujve Spratly, pjesë të të cilit janë territore të pretenduara edhe nga Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kina t’i ndërpresë këto aktivitete, për të ciclat Uashingtoni thotë se janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe përbëjnë rrezik për konflikte në rajon.

Disa ditë para vizitës, në një shkrim për gazetën Wall Street Journal, zoti Xi tha se Ishujt Spratly kanë qenë territor kinez që nga kohët e lashta.

"Zhvillimi i Kinës dhe mirëmbajtja e objekteve në disa nga ishujt tanë dhe shkëmbinjtë nënujorë në ishujt Nansha nuk ndikojnë apo vënë në shënjestër ndonjë vend tjetër, dhe kjo nuk duhet të keqinterpretohet", tha zoti Xi për gazetën, duke përdorur emrin kinez për ishujt.

Në fjalimin e tij të martën, zoti Xi theksoi se Kina nuk dëshiron konfrontim me vendet e tjera, dhe nuk do të pengojë lirinë e lundrimit në rajon.

Të drejtat e njeriut

Të drejtat e njeriut në Kinë janë një tjetër burim mosmarrëveshjesh dhe disa grupe të të drejtave të njeriut po i kërkojnë presidentit Obama të mos qëndrojë larg këtyre çështjeve gjatë takimeve të tij me zotin Xi.

"Kjo është një marrëdhënie e madhe dhe e komplikuar, dhe kështu ka shumë tema që kërkojnë vëmendje," pohoi Sophie Richardson, drejtore e organizatës Human Rights Watch për Kinën. "Por ne sigurisht mendojmë se përkeqësimi i situatës të të drejtave në Kinë meriton vëmendje të veçantë."

Kur udhëheqësi kinez foli të martën në qytetin Seattle, dhjetra protestues u mblodhën për të dënuar ato që ata i shohin si politika të ashpra të Pekinit në Tibet dhe goditjen kundër disidentëve politikë.

Zoti Xi ka gjithashtu ka gjasa të pritet me protesta në Uashington dhe në Nju Jork, ku ai planifikon të mbajë një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice, tha se zyrtarët amerikanë do të vazhdojnë t’I bëjnë trysni Kinës për të lejuar më shumë lirinë e fjalës, dhe për të eliminuar kufizimet në praktikat fetare.

Bashkëpunimi

Megjithë numrin e madh të mosmarrëveshjeve, një fushë e bashkëpunimit që pritet të theksohet nga të dy drejtuesit është ndryshimi i klimës.

Gjatë vizitës së zotit Obamës në Pekin vitin e kaluar, të dy vendet ranë dakord për të reduktuar emetimet e gazeve që fajësohen për ndryshimet klimatike. Marrëveshja u konsiderua si një moment historik për të dy vendet që janë ndotësit më të mëdhenj në botë.

Të dy palët do të bëjnë të pamundurën për të gjetur gjuhën e përbashkët për qasjen ndaj Koresë së Veriut, e cila po vazhdon të çojë përpara programin e saj bërthamor dhe po kërcënon të kryejë nisjen e një sateliti, që shumë thonë se është një prove e maskuar nga raketa me rreze të gjatë veprimi.

Koreja e Veriut është e ndaluar të kryejë prova bërthamore apo të raketave sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB. Pheniani është një aleat i ngushtë i Pekinit, dhe çdo përpjekje për ta frenuar atë shihet si shenjë e thellimit të bashkëpunimit nga Kina.

XS
SM
MD
LG