Lidhje

Skandali Volkswagen


Volkswagen CEO Martin Winterkorn gives his closing speech during the Volkswagen group night ahead of the Frankfurt Motor Show (IAA) in Frankfurt, Germany, Sept. 14, 2015.
Volkswagen CEO Martin Winterkorn gives his closing speech during the Volkswagen group night ahead of the Frankfurt Motor Show (IAA) in Frankfurt, Germany, Sept. 14, 2015.

Zbulimi se firma Volkswagen ka pajisur miliona makina të saj në mbarë botën me një program kompjuterik që shmang kontrollin e nivelit të ndotjes, i ka dhënë një goditje të rëndë reputacionit të industrisë së makinave gjermane. Autoritetet amerikane kanë filluar një hetim penal për makinat e shitura në SHBA, dhe kështu kanë njoftuar se do të veprojnë edhe vende të tjera. Kjo krizë i ka kushtuar që tani rreth 28 miliardë dollarë firmës Volkswagen, për shkak të uljes së vlerës së aksioneve të saj në bursë.

Autoritetet amerikane do të hetojnë rreth 500 mijë makina Volkswagen të pajisura me këtë program të fshehur. Kreu ekzekutiv i firmës Volkswagen, Martin Winterkorn, dha dorëheqjen dhe kompania njoftoi se ka vënë mënjanë një fond prej 7 miliardë dollarësh për të përballuar koston e skandalit. Dënimi i mundshëm mund të jetë shumë më i rëndë se kaq.

“Për sa i përket imazhit, kjo po e dëmton së tepërmi firmën Volkswagen. Dhe vetëm kërkimi i ndjesës nuk mjafton. Kjo gjë do t’u kushtojë shumë.”

Shumë amerikanë kanë blerë të ashtuquajturat makina me naftë “të pastër”, për shkak të kursimit në karburant dhe të mosdëmtimit të mjedisit. Tashmë ndjehen të mashtruar.

“Do ta ndërroj makinën, pasi nuk mund të qarkulloj në një mjet që shkatërron mjedisin. Është ndotje 4 apo 10 herë mbi nivelin e lejueshëm. Është shumë keq.”

Agjensia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Departamenti i Drejtësisë kanë filluar një hetim penal për të hetuar sa më gjerë lloje të ndryshme shkeljesh penale që mund të jenë kryer.

Autoritete në vende si Franca dhe Koreja e Jugut gjithashtu thanë se do të hetojnë. Prodhuesi gjerman i makinave ka pranuar se rreth 11 milionë makina Volkswagen në mbarë botën mund të jenë pajisur me këtë program të sofistikuar që nuk e ul ndotjen gjatë ngarjes së makinës, por futet në veprim kur ndjen se makina po testohet për këtë qëllim.

“Do t’u shkojmë deri në fund dhe me ashpërsi këtij fenomeni, në mënyrë që të mos dëmtohen prodhuesit e rregullt të makinave.”

Ky skandal ka hedhur një hije mbi të gjithë industrinë e automjeteve dhe grupime mjedisore po kërkojnë inspektime të hollësishme për të përcaktuar nëse edhe të tjerë prodhues makinash kanë mashtruar.

XS
SM
MD
LG