Lidhje

Papa Françesku, fjalim historik në Kongresin amerikan

  • Keida Kostreci

Papa Françesku mbajti një fjalim historik në Kongresin amerikan gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara. Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij shprehu respektin ndaj Amerikës dhe vlerave të këtij vendi, preku temat më të mëdha që shqetësojnë botën sot dhe frymëzoi sallën ku ishin mbledhur dy dhomat e Kongresit me mesazhet e tij.

Eshtë hera e parë që një Papë flet në një Kongres amerikan. Dhe fjalimi ishte një ndër vetëm katër gjatë vizitës që ai mbante në anglisht. Të tjerët po i mban në gjuhën e tij spanjolle.

…dhe Ati i Shenjtë e përcaktoi tonin e fjalimit të tij që në fillim, duke thënë një nga shprehjet më simbolike amerikane.

“Jam mirënjohës që jam këtu në tokën e të lirëve dhe në atdheun e trimave”, tha ai. Dhe duartrokitjet shpërthyen në atë moment dhe gjatë gjithë fjalimit. Pas tij ishin ulul dy katolikë amerikanë: Nënpresidenti Joe Biden dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner.

Papa Françesku e hapi fjalimin e tij historik në Kongres duke e përshkruar veten si një “bir i këtij kontinenti të madh” i bashkuar me Amerikën në një qëllim të përbashkët.

Papa preku të gjitha çështjet që shqetësojnë sot botën. Ai shprehu shqetësimin që bota është sot në konflikt. Papa bën thirrje për një “ekuilibër delikat” në luftën kundër ekstremizmit fetar për të garantuar se liritë themelore të njeriut nuk do të shkelen. Ai tha në fjalimin e tij para Kongresit se asnjë fe “nuk është e imunizuar nga format e keqkuptimit individual ose nga ekstremizmi ideologjik.”

Papa Françesku shprehu shqetësim të thellë në lidhje me masakrimin e të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare në Lindjen e Mesme nga duart e ekstremistëve islamikë, me frikën se prania e krishterë në rajon është e rrezikuar.

Papa tha se liritë fetare, intelektuale dhe individuale duhet të mbrohen, ndërkohë që luftohet dhuna që kryhet në emër të fesë.

Papa bëri thirrje që të tregohet kujdes për të mos e ndarë botën në mënyrë simpliste në dy kampe – e mira dhe e keqja.

Ati i Shenjtë foli me ndjeshmëri të lartë për çështjen e emigracionit, madje edhe me nota personale.

“Të gjithë në kemi qenë dikur të huaj diku. E them këtë si bir imigrantësh”, tha ai duke iu referuar faktit që prindërit e tij ishin imigrantë italianë në Argjentinë.

Duke folur për krizën e imigracionit në Evropë, si dhe për debatet në Shtetet e Bashkuara mbi emigracionin nga Amerika Latine, Papa Françesku u bëri thirrje ligjvënësve “për t’u përgjigjur në një mënyrë që është gjithmonë humane, e drejtë dhe vëllazërore.''

“Ne nuk duhet të trembemi nga numri i tyre, por t’i shohim ata si njerëz, duke vështruar fytyrat e tyre dhe duke dëgjuar historitë e tyre, duke u përpjekur për t'iu përgjigjur sa më mirë që mundemi gjendjes së tyre,” tha Papa.Ai përdori si ilustrim atë që e quajti rregull të artë:

“Trajtoi të tjerët ashtu siç do doje të të trajtonin ata ty. Kjo na jep një drejtim të qartë”, tha ai duke shtuar se gjithkush duhet të trajtohet me respekt.

Nëse duam më shumë siguri, le të japim siguri, nëse duam jetë le të japim jetë, nëse duam mundësi, le të krijojmë mundësi.

Papa Françesku foli për pabarëzinë dhe drejtësinë sociale dhe klimën. Papa bëri thirrje që t’i jepet fund dënimit me vdekje në SHBA dhe në botë. Ai tha se çdo jetë është e shenjtë dhe shoqëria vetëm mund të përfitojë nga rehabilitimin i njerëzve të dënuar për krime.

Gjatë gjithë fjalimit, Papa përmendi katër figura qendrore amerikane, jetët e të cilëve mund të shërbejë si frymëzim ndërsa bota përballet me sfidat e vështira të sotme. Dy prej tyre ishin Abraham Lincoln dhe Martin Luther King. I pari për rolin e tij në lirinë dhe demokracinë amerikane. I dyti për ëndrrën, të drejtat civile. Ai tha se amerika vazhon të jetë tokë e shumë ëndrrave.

Dy të tjerët ishin Dorothy Day, themeluese e Lëvizjes së Punëtorëve Katolikë që përdori fenë e saj për të punuar për drejtësi sociale. Ndërsa I katërti ishte Thomas Merton, që nuk pati patur origjinë katolike u bë një murg I njohur dhe autor I njohur që nxiste paqen.

Pas fjalimit që u përshëndet me duartokitje të gjata, Papa foli edhe para të gjithë admiruesve të mbledhur para Kapitolit duke i përshëndetur ata ngrohtë.

Ishte një ditë e pazakontë për Washingtonin dhe papa dukej në humor shumë të mirë. Solemniteti ishte kudo që nga pritja në Shtëpinë e Bardhë, tek entuziazmi i turmave në rrugët e Uashingtonit, tek Bazilika ku mbajtin meshën. Papa nuk hezitoi të përmendte tema delikate për politikën globale dhe amerikane si për shembull ngrohja globale. Papa Françesku u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin hapa urgjente për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit në botë dhe për të lehtësuar problemin e varfërisë. Ai tha se problemi i ndryshimeve klimatike, nuk mund t’i lihet brezit pasardhës.

Pas një parade në Parkun Kombëtar të Uashingtonit, Papa do të drejtojë një takim lutjesh me peshkopët amerikanë, si dhe një meshë ceremoniale për shpalljen shenjtor të Junipero Serras, priftit françeskan, i cili themeloi misionin katolik në brigjet e Kalifornisë, gjatë marshimit me pushtuesit spanjollë.

Shenjtërimi i atit Serra është një çështje që ka lënduar shumë amerikanë indigjenë, të cilët thonë se prifti Serra kontribuoi në abuzimin dhe eliminimin e shumë fiseve indigjene nga skllavërimi dhe sëmundjet.

Papa, foli dje gjithashtu edhe për çështjen e abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë. Kjo ishte një nga pikat ku ai u kritikua nga avokatët e viktimave të këtij abuzimi, pasi sipas tyre ai tregoi mëshirë dhe kujdes për kishën for jo viktimat.

Para se të shkojë në Nju Jork, papa do të shkojë në një kishë ku do të hajë drekë me të pastrehët dhe të varfrit. Në Nju Jork ai do të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të mbajë një shërbim ndërfetar në Muzeun për Nder të 11 shtatori. Më pas ai do të vizitojë edhe Filadelfian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG